Ashtu siç ishte paralajmëruar, ka nisur protesta e pedagogëve përpara korpusit universitar.
Këtë të hënë, ata kanë bojkotuar mësimin për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ku më kryesorja është rritja e pagave.
Ata i bëjnë thirrje studentëve që t’i bashkohen në protestë, ndërsa kreu i sindikatës së pedagogëve Sandër Kovaçi i ka drejtuar një letër të hapur presidentit Bajram Begaj dhe institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Janë nëntë kërkesa që pedagogët i kanë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një peticioni.
Mësohet se në peticion kërkohet të arrihet niveli i pagave të Universiteteve publike të Kosovës, brenda dy viteve me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20 % në Tetor 2023.
Ndër të tjera SPUSH thekson se është i bindur se çështjet e renditura janë vetëm një pjesë e problematikës me të cilën përballen Universitetet Publike shqiptare sot.
Sipas tyre, adresimi dhe zgjidhja e tyre nga autoritetet qeveritare e universitare përgjegjëse është e domosdoshme për përmirësimin e kushteve aktuale.