Vendimi i OPEC, organizatës së vendeve eksportuese më të mëdha të naftës në botë, për të ulur me 2 milion fuçi prodhimin e naftës nga 1 nëntori 2022, solli menjëherë lëvizjen e çmimit të naftës në tregjet perëndimore. Në SHBA çmimi i naftës u rrit me 1.57 dollarë. Hapi i OPEC pritet të shkaktojë një rritje të madhe të çmimeve të naftës në botë, duke shtyrë më tej vendet drejt recesionit.
Ministri saudit i Energjisë hodhi poshtë akuzat, se OPEC po mban anën e Rusisë dhe po përdorë energjinë si armë. Ai tha se rënia e çmimit nën 90 dollarë për fuçi bëri që OPEC të shkurtonte prodhimin.
SHBA kishte kërkuar 3 muaj më parë nga vendet kryesore të OPEC si Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit, që të mbanin në nivele të larta prodhimin ditor të naftës. Lëvizja surprizë duket se e ka zënë të papërgatitur Perëndimin.
Uashingtoni iu përgjigj vendimit duke theksuar se do hedh në treg 1 milion fuçi nga rezerva strategjike e vendit, me qëllim për të mbrojtur konsumatorët amerikanë, për të promovuar sigurinë e energjisë dhe për të mbajtur çmimet e ulëta.
Por, ekspertët pohojnë se brenda pak muajsh çmimet mund të arrijnë në 120 dollarë për fuçi, duke shkaktuar kështu recesion të madh në vendet e varfra dhe në ato në zhvillim.
Kjo lëvizje shihet si thikë pas shpine, sidomos për Europën, e cila kishte vendosur që deri në fund të nëntorit të hiqte dorë krejtësisht nga nafta ruse dhe kufizimin e çmimit për naftën e papërpunuar ruse.
Ulja e prodhimi e cila çon automatikisht në rritjen e çmimit, pritet të mbyll kompani dhe ndërmarrje në perëndim, të cilat janë të varura nga ari i zi.