Zbulimi i vatrës së re të koronavirusit në Pekin i detyrohet një “heroi”, sipas mediave vendase.
Ai quhet Tang, është 52 vjec dhe konsiderohet Pacienti Një. Ishte ai vetë që kontaktoi autoritetet duke i dhënë informacione jetike lidhur me tregun Xinfadi dhe infektimet e para. Banorët e Pekinit kanë shprehur në rrjet mirënjohjen e tyre dhe e kanë pagëzuar “ Xha Tangu”, në shenjë respekti.
Miliona persona në kryeqytetin kinez janë duke jetuar në kushte të reja të kufizimit, teksa vazhdon të rritet numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus.Ky qytet raportoi 31 raste të reja të mërkurën, duke e çuar numrin total në 137, vetëm në javën e kaluar.
Përpara shpërthimit të ri, kryeqyteti kinez nuk pati regjistruar raste lokale të të infektuarve për 57 ditë. Shpërthimi besohet se ka nisur pikërisht në tregun e madh ushqimor, që furnizon 80 për qind të qytetit me mish dhe perime.