Ukraina: Rusia po përdor dronë iranianë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ukraina: Rusia po përdor dronë iranianë

Ukraina tha se për herë të parë ka hasur në një dron vetëvrasës iranian, që është përdorur nga Rusia në fushëbetejë, teksa Kievi po vazhdon largimin e forcave ruse nga qindra qytete në verilindje të vendit.

 

Gjatë një adresimi në orët e vona të 13 shtatorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka kontroll të plotë mbi 4.000 kilometra katrorë të territorit të rimarrë nga forcat ruse dhe po stabilizon marrjen e kontrollit edhe të 4.000 kilometrave katrorë të tjerë.

 

Advertisement

Pavarësisht përparimeve të mëdha të forcave ukrainase, presidenti amerikan, Joe Biden, parashikoi një “rrugë të gjatë” përpara në pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.

 

Më 14 shtator, ushtria ukrainase publikoi imazhe që duket se i përkasin një droni të Iranit, i njohur me emrin Shahed-136.

 

Advertisement

Tre ushtarë ukrainas shihen në qytezën Kupiansk.

Trupat ukrainase thanë se këtë dron e kanë hasur afër Kupianskut gjatë ofensivës që Kievi po kryen për të larguar trupat ruse përgjatë rajonit të Harkivit.

 

Droni Shahed duket se është rrëzuar nga forcat ukrainase dhe sipas imazheve, duket se nuk ka arritur të shpërthejë eksplozivët që bartte. Megjithatë, pala ukrainase ka ofruar pak informacione për këtë dron.

Advertisement

 

Megjithatë, shënimi në dron “M214 Gran-2” nuk korrespondon me pajisjet ushtarake ruse.

 

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk i është përgjigjur kërkesës për koment, ndërkaq as Rusia nuk ka komentuar lidhur me pretendimet e Ukrainës.

Advertisement

 

Ministria britanike e Mbrojtjes po ashtu mbështeti pretendimin e Ukrainës për dronin ukrainas, duke shtuar se “Rusia ka shumë gjasa që ka dislokuar dronë iranianë… për herë të parë në Ukrainë”.

 

“Humbja e Shahed-136 afër linjave të frontit sugjeron se ka gjasa shumë reale që Rusia po tenton të përdorë këtë sistem për të kryer sulme taktike dhe jo sulme ndaj caqeve strategjike më thellë brenda territorit ukrainas”, tha inteligjenca britanike.

Advertisement

 

Në korrik, inteligjenca amerikane paralajmëroi se Irani po planifikonte të dërgonte qindra dronë në Rusi për t’i përdorur në luftën në Ukrainë.

 

Irani fillimisht kishte mohuar akuzat, por kreu i Gardës Revolucionare Islamike së fundmi është mburrur se shteti i tij po armatos fuqitë kryesore botërore./rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy