Rritja e pandalshme e çmimeve përgjatë gjithë vitit, duket se ka detyruar qeverinë që të ketë sërish në fokus pensionistët, një ndër kategoritë më të varfra në vend.
Ministria e Financave është duke punuar që të ketë një indeksim të pensioneve, që do të nisë efektet nga muaji tetor. Edhe pse nuk dha detaje, kryeministri Edi Rama tha se lajmi i mirë do të vijë shumë shpejt për të moshuarit.
Paralelisht parashikohet të bëhet efektive edhe paketa e dytë e rezistencës sociale, sipas të cilës për tre muaj rresht çdo pensionist që merr nën ose sa gjysma e pagës minimale, si dhe familjet në nevojë do të marrin 3 mijë lekë për çdo muaj, një shumë kjo që vjen si pasojë e rritjes së çmimeve, për të gjitha mallrat dhe shërbimet.
Kjo është e hera e parë që qeveria indekson pensionet dy herë brenda vitit.
Në prill indeksimi ishte 3.3% si një mesatare e inflacionit deri në muajt e parë të vitit, por teksa inflacioni ka shënuar vetëm rritje edhe përgjatë muajve të verës, mbetet për tu parë se sa do të jetë indeksimi i radhës.