Shkollat në Maqedoni me vetiniciativë kërkojnë para nga nxënësit, për dhënien e dëftesave, edhe pse Byroja për zhvillimin e arsimit ua dërgon dëftesat shkollave pa para.
Shkollat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë nga nxënësit 50 denarë e më shumë për dëftesat, edhe pse nuk është e paraparë me ligj që nxënësit të paguajnë për të njëjtat. Sipas rregullores, Byroja për zhvillimin e arsimit i përgatit dëftesat, gjegjësisht i blen ato dhe sipas nevojës së shkollave, ua dërgon të njëjtat, përcjell Telegrafi Maqedoni nga Rel.
Për këtë rregullore ka reaguar Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, të cilët informojnë se kanë ankesa të shumta nga nxënësit e disa qyteteve.
Gjimnazet e Tetovës “7 Marsi” dhe “Kiril Pejçinoviq”, shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori”, si dhe shkollat e mesme profesionale “Mosha Pijadë” dhe “Goce Stojçevski”, kërkojnë nga nxënësit 50 denarë për dëftesat, pagesë e cila duhet të bëhet gjatë qershorit. Ndërsa në shkollën e mesme mjekësore në Tetovë, dëftesat paguhen madje 100 denarë.
Përveç nga shkollat në Tetovë, Unioni i nxënësve ka marrë informacione edhe nga shkollat e mesme në Shkup dhe Kumanovë.
Shkolla “Zef Lush Marku” gjithashtu kërkon 50 deri 100 denarë prej nxënësve, ndërsa gjimnazi i Kumanovës “Goce Dellçev” kërkon 50 denarë për dëftesat nga nxënësit.
Unioni i nxënësve kujton se kjo taksë nuk përmendet në Ligjin për arsim të mesëm, ndërsa dëftesat janë si dëshmi për mbarimin e vitit shkollor.
“Edhe pse 50 ose 100 denarë dikuj i duken qesharak dhe të parëndësishme, nuk mund të harrojmë se në arsimin e mesëm shtetëror ka nxënës me gjendje të ndryshme financiare. Për dikë, 50 denarë nuk janë pak. Ndërsa kur kemi parasysh se jemi në një gjendje të rënduar ekonomike dhe të përgjithshme, është turp që nxënësit të detyrohen të paguajnë për dëftesat”, thonë nga Unioni.
Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Arsimit i inkurajon nxënësit që të ankohen për këtë problematikë.
“Çdo nxënës ose grup nxënësish që pretendojnë se prej tyre kërkohet taksë për dëftesat, së pari i udhëzojmë që me shkrim të drejtohen tek organet e shkollës. Nëse janë të pakënaqur nga përgjigjja, i udhëzojmë të drejtohen tek ne me të gjitha informacionet relevante dhe ne si institucion relevant, për çdo rast do të kryejmë inspektim”, thonë nga Inspektorati.
Ndryshe, kjo praktikë nga shkollat është shndërruar në tradicionale, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme janë të gatshëm të reagojnë dhe ta ndryshojnë./Telegrafi/
The post Shkollat në Maqedoni kërkojnë para nga nxënësit për dëftesat të cilat janë pa pagesë appeared first on Telegrafi.