Kina ka thënë se do të kryejë stërvitje të reja ushtarake në Detin e Verdhë dhe Detin Bohai, pas stërvitjeve që ka kryer rreth Tajvanit ditëve të fundit.
Stërvitjet rreth Tajvanit kanë qenë përgjigje ndaj vizitës që ka realizuar në këtë ishull udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi.
Ministria kineze e ka konsideruar vizitën e Pelosit në Tajvan si “provokim skandaloz”.
Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton këtë ishull në 25 vjetët e fundit.
Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se Pelosi ka pasur “çdo të drejtë” për të shkuar në Tajvan dhe se masat e Kinës janë “në thelb të papërgjegjshme”.
Ndonëse SHBA-ja nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, ajo mban lidhje të forta me ishullin, duke përfshirë shitjen e armëve me qëllim të mbrojtjes territoriale.
Tajvani ka akuzuar Kinën se është duke simuluar pushtimin e ishullit, të cilin Pekini e konsideron të vetin.
Një analist i lartë i ushtrisë kineze ka thënë të dielën se Kina tani do të kryejë stërvitje “të rregullta” ushtarake afër Tajvanit.
Kina e konsideron Tajvanin si provincë që dikur do të jetë nën kontroll të Pekinit.
Mirëpo Tajvani është ishull që vetëudhëhiqet dhe e konsideron veten të ndarë nga Kina.
Stërvitjet rreth Tajvanit ishte paraparë të përfundonin në mesditën e së dielës, mirëpo, as Kina, as Tajvani nuk kanë konfirmuar diçka të tillë./rel