Në disa shitore dhe furra të bukës në qytetin e Shkupit, buka e thekrës ka arritur deri në 94 denarë, çmim ky që shënon rekord të ri, kurse buka e bardhë në copa është rreth 60 denarë.
Disa nga qytetarët thonë për Kanal 5 se trendi i rritjes së çmimeve është i padurueshëm, aq më tepër që pagat dhe pensionet nuk ecin me të njëjtin ritëm.
“Pra, çmimet janë të larta, sillen nga 50 e diçka, 60, 70 denarë”, tha një qytetare.
“Po, çmimet janë rritur. Mbi 50 denarë për një bukë, është shumë, nuk mund të mbijetojmë”, u shpreh një qytetar.
Ndërsa një tjetër i intevristuar u shpreh se “Është normale që çdo gjë të bëhet më e shtrenjtë kur ke një luftë në botë nga vjen energjia dhe drithërat, por është gjithashtu e vërtetë që rrogat janë të ulëta, rrogat duhet të rriten”.
Kostot e ushqimit dhe energjisë po rriten çdo ditë pavarësisht masave të qeverisë për të zbutur goditjen e çmimeve.
Sipas njoftimeve, muajin e ardhshëm do të zbatohet paketa e re kundër krizës, por ajo do të jetë e dedikuar ekskluzivisht për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve dhe kompanive.
Përkundër njoftimeve të tilla, paralajmërimi i një dimri të ashpër për shkak të krizës ekonomike dhe energjetike ngjall frikë shtesë tek qytetarët.
Anijet me grurë që u ankoruan për shkak të konfliktit ruso-ukrainas, u mundësuan nga marrëveshja e Stambollit dhe tashmë kanë nisur të lundrojnë drejt botës.
Megjithatë, është ende e paqartë nëse kjo situatë do të ndihmojë në uljen e çmimeve të grurit në nivel global.
The post Çmimi i bukës së thekrës arrin në 94 denarë, qytetarët e Shkupit ankohen për çmimet e larta për produktet e brumit appeared first on Telegrafi.