Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Kina nisi këtë të enjte stërvitjen e paprecedentë ushtarake pranë Tajvanit, vetëm një ditë pasi kryetarja e Dhomës së përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi la ishullin.
Stërvitjet luftarake me zjarr nisën rreth orës 12:00 me orën lokale në gjashtë zona që rrethojnë Tajvanin. Gjuajtjet e drejtpërdrejta në ujëra dhe hapësirën ajrore përreth Tajvanit herë pas here ishin vetëm 12 milje larg ishullit.
Mediat e huaja raportojnë se 21 aeroplanë luftarakë të ushtrisë kineze kanë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit, ndërsa dy raketa janë lëshuar nga Kina në afërsi të ishujve Matsu.
Teksa analistët frikësohen se Kina mund të sulmojë Tajvanin me raketa, për zyrtarët tajvanezë stërvitjet shkelin rregullat e Kombeve të Bashkuara dhe pushtojnë hapësirën territoriale të Tajvanit.
Zëdhënësi i kabinetit qeverutar në Tajvan tha se faqet e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe zyrës presidenciale u sulmuan nga hakerat.
Sipas planit të Kinës, stërvitjet ushtarake do të vazhdojnë deri të dielën.