Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Ky është borxhi ynë ndaj të gjithë atyre që luftonin për një shtet të atillë qytetar, shoqëri e të gjithë qytetarëve ku do të rriten fëmijët, nipërit tanë dhe gjenerata të reja të cilat meritojnë të jetojnë, të rriten të arsimohen dhe të krijojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut Evropiane, shtet bashkëkohor dhe prosperues i qytetarëve evropianë, theksoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalimin e sotëm në Qendrën Përkujtimore KAÇKM në Pelincë me rastin e festës shtetërore Ilindeni.
Duke e uruar festën kur i shënojmë të dy Ilindenët dhe përvjetorët, 119 vjetorin (1903) e Republikës së Krushevës dhe 78 – vjetorin (1944) të Mbledhjes së KAÇKM-së, që këtë vit zhvillohet nën moton “Ilindeni – fuqia jonë për të ardhmen”, Xhaferi theksoi se Ilindeni me të vërtetë është koncepti i vetëm i cili e përshkruan vlerën dhe bazën nga e cila nisemi të gjithë dhe në të cilën gjejmë forcë të gjithë për vazhdimin më tutje në ndërtimin e ardhmërisë së përbashkët të shtetit tonë të përbashkët për ne, për gjeneratat tona të ardhshme, qytetarë të ardhshëm të familjeve evropiane dhe botërore të popujve, duke i kremtuar dhe festuar vlerat që na bashkojnë dhe ndërlidhin, vlera që na bëjnë qytetarë krenarë dhe të bashkuar të shtetit tonë të përbashkët.
“Postulatet me të cilat janë definuar qartë të drejtat dhe liritë e përgjithshme dhe të veçanta njerëzore, me të cilat definohet qartë karakteri multietnik, multikulturor dhe multikonfesioal i shtetit tonë janë baza shumë e fortë mbi të cilën do të vazhdojmë të ecim si edhe deri tani. Ngjarjet nga e kaluara na bindën se vetëm bashkimi kah shtëpia e përbashkët për të gjithë, me vizion të qartë, me mençuri dhe arsye është qëllimi i fundit i vetëm, natyror dhe i realizueshëm. Nëse sillemi me përgjegjësi dhe arsye ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve, me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë, duke e pranuar shprehjen e veçorive dhe karakteristikave të çdo një bashkësie etnike, kulturën, gjuhën, veçoritë e identitetit si e drejtë natyrore, atëherë rruga kah e cila duhet të ecim është moti e determinuar, që nga ilindenasit e parë. Ato kanë qenë të vetëdijshëm se vetëm me tejkalimin e kornizës së ngushtë dhe egoiste, me hapjen e trurit dhe përqafimin e fortë të të mirave që i ofron vendi ynë, do të jemi shembull për vlerë të re dhe të shtuar në rajon dhe më gjerë”, tha Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se sfidat në rrugëtimin tonë assesi nuk pushojnë dhe nuk zvogëlohet barra e vendimeve që duhet të merren, ndërsa çdo vështirësi e re, çdo pengesë e re është test për shtetin, për institucionet dhe për qytetarët, dhe natyrisht se kjo frustron.
“Shikuar në mënyrë objektive dhe me qëllim të sinqertë për të thënë gjerat ashtu siç janë, do e them atë që e kemi të gjithë të njohur, dhe kjo është se asnjë vend nuk hasi në pengesa më të mëdha se Republika e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në këtë proces, për fat të keq, brehej shoqëria jonë, grupohej në taborë, në tradhtarë dhe patriotë, në evropianë dhe rusofilë, në albanofobë dhe bugarofilë, në komunjarë dhe vëmëroistë. Dhe kjo assesi nuk shkonte në favor të shtetit. Kjo assesi nuk shkonte në favor të bashkimit drejt qëllimit të përbashkët”, tha Xhaferi.
Megjithatë, theksoi kryetari i Kuvendit, edhe në ato kohëra të vështira të ndarjeve kishte dhe akoma ka njerëz me vizion të qartë dhe qëllim të sinqertë që mos lejohet të humbet ajo që është fituar moti, edhe atë jo në mënyrë të lehtë dhe është lënë në amanet. Njerëz të cilët edhe në skenarët më të zinj shihnin pikë drite dhe derë pak të hapur të mundësive për ruajtjen dhe përforcimin e themeleve të shtetit, të integritetit të tij territorial dhe sovranitetit.
“Besoj se heqja dorë nga gjithçka dhe mbajtja me kokëfortësi për një floskule e cila në fund të fundit është vetëm një floskulë e zbrazët e cila nuk ofron asnjë zgjidhje alternative dhe të mundshme por vetëm në mënyrë an bllok i refuzon mundësitë, kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë opsion për ato që me të vërtetë e duan Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pohimet se vetëm ashtu duhet shteti, duke e humbur gjatë kësaj veten, shtetin dhe kuptohet identitetin, gjithsesi se nuk është opsion i pranueshëm. Sepse, identiteti nuk është diçka që jepet dhe merret, identiteti është ajo që jemi dhe atë që e bartim në vete. Ajo që e kemi dëgjuar dhe mësuar nga të partë tanë, ajo që ua themi dhe do ua japim gjeneratave tona të ardhshme”, tha Xhaferi në Pelincë.
Duke folur për krizat globale dhe sfidat e sigurisë, ai tha se jemi tepër të vegjël që vetë ti luftojmë betejat para të cilave drejtohemi çdo ditë. Prandaj është me rëndësi të jemi të bashkuar dhe unik për atë që e duam, që e meritojmë dhe mundemi si vend dhe si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me atë që, tani ka dallim! Tani , thotë Xhaferi nuk jemi vetë. respektivisht, para dy viteve u bëmë anëtarja e 30-të fuqiplote e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike NATO, ndërsa morëm vendime të rënda shtetërore të cilat e debllokuan rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik dhe në atë rrugëtim politikisht maturuam edhe ne si politikanë, edhe qytetarët tanë”.
“Ishim dhe akoma jemi të përkushtuar ndaj vendosjes dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe në këtë drejtim e kemi gjithë mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë. Me mbështetjen e tyre të fuqishme e bëmë edhe hapin e shumëpritur kah familja evropiane. E mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, që praktikisht paraqet shenjë se tani më jemi brenda në lojë me familjen e madhe evropiane, pas plotë shtatëmbëdhjetë viteve të statusit të vendit kandidat për anëtarësim. A do të jetë lehtë? Natyrisht se nuk do të jetë lehtë, po loja sapo filloi!”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Sipas tij, tani na pret beteja e vërtetë për reformimin e institucioneve, për konsolidimin e radhëve, për zbatimin e ligjeve të harmonizuara me legjislacionin evropian në praktikë. Për këtë na duhet unitet! Për këtë na duhet kontributi i sinqertë dhe pa rezervë i çdo individi në shtet.
The post Xhaferi: Kemi një shtet të përbashkët, të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë dhe zhvillojmë appeared first on Telegrafi.