Sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami realizoi takim pune me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija, me të cilin nënshkruan memorandum bashkëpunimi ndërmjet dy komunave.
Siç thonë nga Komuna e Tetovës, qëllimi i këtij Memorandumi është të sigurojë një mënyrë bashkëveprimi dhe të lehtësojë bashkëpunimin midis komunave tona, mbi baza jo-përjashtuese, në fusha me interes të përbashkët, në fushën social ekonomike, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
“Duke synuar nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në fushën social- ekonomike, turizmit, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit, sot, në sallën e Këshillit Komunal së bashku me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, mikun tim Bardh Spahia nënshkruajtëm Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe Bashkisë së Shkodrës”, ka thënë Kasami duke shtuar se “përmes zhvillimit të aktiviteteve social ekonomike, turizmit, kulturës dhe sportit si dhe duke marr në konsideratë historinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndër viteve ndërmjet Tetovës dhe Shkodrës në fusha të ndryshme të veprimtarive ekonomike, jetës artistike kulturore, turizmit dhe sportit, ne synojmë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve me interes të përbashkët në fushat e lartëpërmendura”.
Ndërkaq kryetari i Shkodrës mes tjerash tha se ky memorandum do të jetë urë lidhëse në mes dy qyteteve tona dhe në të ardhmen do të forcohet edhe më tej lidhja jonë ku qytetarët tetovarë në Shkodër do të ndihen si në shtëpi të vet dhe anasjelltas.
“Kam kënaqësinë të jem sot këtu dhe të firmosim së bashku me Ju këtë memorandum bashkëpunimi i cili synon të shtojë dhe forcojë kontaktet dhe lidhjet tona në disa fusha jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e dy qyteteve tona dhe shpresoj shumë që tetovarët ta vizitojnë Shkodrën dhe të ndihen si në qytetin e tyre, ashtu siç e kam edhe bindjes se edhe shkodranët do ta shtojnë prezencën në Tetovë dhe do ta konsiderojnë Tetovën si një qytet të tyre”, ka thënë Spahija.
Ky Memorandum hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit të tij. Çdo palë ka të drejtë ta përfundojë këtë memorandum në çdo kohë, me konsultimin paraprak të tyre dhe me një njoftim me shkrim.
The post Komuna e Tetovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës appeared first on Telegrafi.