
Disa persona janë arrestuar nga drejtoria e policisë së qarkut Tiranë gjatë 24 orëve të fundit pasi akuzohen për dhunë në familje.
Efektivet në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasin K. K., 30 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një përforcues grushti dhe një thikë.
Ndërkohe policët në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin L. N., 46 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Shtetasi L. N., në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po ngjarja më e rëndë ka ndodhur në Kavajë.
Shtetasi R. M., 48 vjeç, ka tentuar të dëmtojë gjatë drejtimit të automjetit, bashkëshorten e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Ky shtetas është shpallur në kërkim nga policia.