Observatori i Futbollit të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Sportive publikoi së fundmi renditjen e 20 portierëve më të kushtueshëm të futbollit europian. Gardiani i Shqipërisë dhe Lacios Thomas Strakosha renditet në vendin e 16-ë, vlera e të cilit shkon në 23 milionë euro.
Lista kryesohet nga portieri brazilian i Mançester Sitit Ederson, i cili mban vlerën 86.8 milionë euro, ndërsa pasohet nga bashkëkombasi Alison, i cili mbron portën e Liverpulit dhe Brazilit. Ky i fundit kushton 84.2 milionë euro. Në vendin e tretë vjen portieri i Çelsit Kepa Arrizabalaga, i cili vlen 76.4 milionë euro.
Kampionati italian Seria A përfaqësohet me Pau Lopezin e Romës në vendin e nëntë (37.9 milionë euro) dhe Aleks Meretin e Napolit në vendin e 10-ë me 35.7 milionë euro. Portieri i talentuar i Milanit Xhanluixhi Donaruma vjen në vendin e 11-ë me vlerën 35.2 milionë euro.
Për Strakoshën ka një arsye për të gëzuar pasi ka lënë pas portierin e Bajern Mynihut Manuel Nojer, i cili renditet i fundit në top-listë me vlerën 19.1 milionë euro.
Arsyeja se përse gardiani gjerman renditet në këtë pozicion është për shkak të moshës (34 vjeç), por përsëri ai ka treguar se di të komandojë më së miri nga porta.