Autoritetet spanjolle kanë ‘çmontuar’ një nga rrjetet më të mëdha kriminale që merreshin me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në Katalonjë.
Mediat spanjolle shkruajnë se grupi kriminal përbëhej kryesisht nga shqiptarë.
Në pranga kanë rënë 56 persona që i përkasin moshave nga 19 deri në 58 vjeç.
Rrjeti kriminal e prodhonte lëndën narkotike në Spanjë por e tregtonte atë në të gjithë Europën.
Sipas autoriteteve ky rrjet mund të prodhonte e shpërndante deri në 1,275 kilogramë drogë në vit.
Mega-operacioni policor është kryer më 24 maj megjithatë është bërë publik këtë të enjte.
Nga operacioni policor u shkatërruan 24 plantacione kanabisi me rreth 23 mijë bimë, 126 kilogramë lëndë narktike gati për shitje, rreth 225 mijë euro para, një armë gjahu, një pistoletë me plumba të vërtëtë dhe një pistoletë me ajër.
Çmimi i te gjithë produktit të sekuestruar mund të shkonte mbi 3 milionë euro me vlerën e tregut europian.
Hetimi për këtë organizatë kishte nisur në 21 maj të vitit të kaluar pas sinjalizimit nga burime të ndryshme dhe përgjimit të një elektriçisti profesionist që merrej me përshtatjen e ambjenteve në ‘shtëpi bari’.
Plantacionet ishin të shpërndarë në të gjithë territorin e Katalonjës për të shmangur goditjet e policisë në pika të caktuara.
Bimët mbilleshin në banesa me qera të rregullta dhe për to kujdeseshin kopshtarë që vinin nga vende jashtë Spanjës të cilët jetonin në kushte të kontrolluara nga ‘shefat’ e tyre dhe të pasigurta për jetën.