U duk se protestat që nxiti vdekja e 46-vjeçarit George Floyd në duart e policisë po zbuteshin në SHBA, por një video ku shihej sesi policia kishte përplasur në tokë një të moshuar e pastaj nuk ndërhyn për ta ndihmuar, i ka përshkallëzuar tensionet sërish.
Burri 75-vjeçar, i ishte afruar forcave të rendit, por një efektiv e ka shtyrë fort. Ai ka rënë me shpinë e ka përplasur kokën në tokë; edhe pse i rrjedh gjak, policët nuk ulen ta ndihmojnë.
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale duke shkaktuar indinjatë. Ngjarja ndodhi në Buffalo.
Policia fillimisht kishte deklaruar se një person ishte lënduar pasi qe penguar e kishte rënë, por filmimet nxorën në pah një tjetër skenar. Tanimë për ngjarjen do të nisë një hetim i brendshëm. Dy efektivë janë pezulluar, por zemërimi mes njerëzve është rritur sakaq sërish.