Kina planifikon që të kryejë misionin e saj të parë në planetin Mars në muajt korrik ose gusht të këtij viti. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i programit hapësinor të Kinës, Bao Weimin.
Kina synon që të afirmohet si fuqi botërore përsa i përket udhëtimeve në hapësirë. Anija kozmike “Tianwen-1” që pritet të niset nga Toka në korrik ose gusht, pritet të mbërrijë në planetin e kuq në Shkurt të vitit 2021.
Autoritetet kineze kanë publikuar edhe një video ilustruese të anijes kozmike që eksploron sipërfaqen e Marsit pas uljes në këtë planet.
Anija kozmike do të mbahet nga raketa “Long March-5 Y4”, e cila përshkruhet si raketa më e fuqishme në vend, sipas Korporatës Shkencore të Hapësirës Ajrore në Kinë.
Në Dhjetor, Kina realizoi me sukses një fluturim të një versioni më të hershëm të kësaj rakete. Në vitin 2003, Kina u bë vendi i tretë në botë pas SHBA dhe ish-Bashkimit Sovjetik që dërgoi një njeri në hapësirë.