Mbrëmja e së martës në Tiranë u shndërrua në një arenë përplasjesh të ashpra mes tifozëve të Romës dhe atyre holandezë. Jo vetëm mes tyre, por përplasje fizike pati edhe me forcat e policisë.
Policia e Shtetit bën me dije se si pasojë e dhunës janë plagosur 19 efektivë policie, njëri prej tyre është goditur me thikë. Të lënduar kanë mbetur edhe 10 tifozë, mes tyre shqiptarë, italianë dhe holandezë.
Më tej Dervishaj tha se si pasojë e dhunës së ashpër janë shoqëruara 60 tifozë. Ndërkohë janë kthyer mbrapsht 80 italianë të njohur si tifozë problematikë ultras të Romës.
Përplasja ka nisur në rrugën “Mustafa Matohiti”, një prej zonave më të frekuentuara të Tiranës. Afro 200 tifozë ultras të Feyenoord përdorën shkopinj dhe gurë ndaj policisë. Uniformat blu ndërhynë, por ata më pas iu drejtuan stadiumit, ku ndodheshin tifozët e Romës.
Grupi tjetër rival iu drejtua urës së Drejtorisë së Policisë, ku u përplasen me efektivët.
Përplasje ka patur para Kryeministrisë te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Drejtoria e Policisë së Tiranës, pranë rrugës “Myslym Shyri”, si dhe te një hotel pranë “Pallatit me Shigjeta” ku janë akomoduar lojtarët e Feyenoord.
Pas disa orësh përplasje fizike, policia ka mundur që të shpërndajë turmat.
Këtë të mërkurë pritet që të luhet finalja e Conference League në “Air Albania”, ku edhe kjo mbrëmje parashikohet që të ketë sërish dhunë mes dy kampeve të tifozëve.