Në Tetovë nuk ka strehimore për viktimat e dhunës në familje, nuk ka linjë falas SOS dhe nuk ka qendër krize për trajtimin adekuat të viktimave të dhunës. Nga ana tjetër komunat e Pollogut nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të ndihmuar këshillin ndërsektorial për të funksionuar më mirë në këtë drejtim. Kështu, thonë nga shoqata e psikologëve, këshilluesve dhe psikoterapeutëve “Cortex” , me seli në Tetovë.
“Fatkeqësisht në rajonin tonë i cili ka mbi 255 mijë banorëve dhe sipas standardeve duhet të ketë një strehimore, një qendër krize dhe një linjë SOS e cila duhet të jetë e disponueshme për të gjithë qytetarët 24 orë dhe në të gjitha gjuhët që fliten në këtë rajon. Qëllimi jonë është të lobojmë në ngritjen e vetëdijes tek kryetarët e komunave të Pollogut që të shfrytëzojnë praktikat pozitive si komuna e Kavadarit e cila ka ndarë mbi 1 milion denarë për të siguruar këshillimore dhe strehimore. Poashtu kemi praktikë pozitive në komunën e Manastirit, e cila ka ndarë 1 milion denarë, komuna e Strumicës ka ndarë mjete për strehimore dhe këta janë praktika pozitive, poashtu qyteti i Shkupit ka ndarë mjete për shtëpi për gratë që janë viktima të dhunës. Jemi në kontakte me autoritetet e komunave dhe presim përgjigje pozitive”, tha Nebahate Imeri, nga Shoqata Cortex. Kjo shoqatë që nga gushti i vitit të kaluar është pjesë e projektit, ”Vendosja dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së një qendre Këshilluese për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës familjare”,në rajonin e Pollogut, në kuadër të projektit, Rrugës drejt BE-së “Parandalimi i dhunës ndaj grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut” i implementuar nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Nga Qendra për Punës Sociale në Tetovë, thonë se është e papranueshme që në Pollog, mos ketë qendër për trajtimin e viktimave të dhunës edhe pse shumë shërbime të kësaj natyre jepen në qendrën sociale. “Gjatë kësaj kohe, kishim brenda një dite tre raste të dhunës në familje dhe lirisht mund të them se kishte një reagim adekuat të të gjithë të involvuarve, sidomos të anëtarëve të këshillit ndërsektorial. Me rëndësi është që viktimat e dhunës të dinë se si kërkojnë ndihmë dhe ku ta kërkojnë atë ndihmë. Me rëndësi është që të punohet më shumë në angazhim”, tha Darko Obadiq , drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Tetovë. Poashtu, krahas këtyre nevojave që kanë viktimat e dhunës, u theksua rëndësia që në të ardhmen të mendohet edhe hapja e një qendre për trajtimin edhe të kryerësve të dhunës. (koha.mk)
The post Tetovë, viktimat e dhunës të lënë pas dore appeared first on Telegrafi.