Zyra rajonale për Evropë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka njoftuar se nga fillimi i muajit mars, kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus në këtë kontinent, janë regjistruar 159,000 vdekje shtesë.
Në një takim të përjavshëm për koronavirusin, Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, ka thënë se 2 milionë persona është konfirmuar se janë prekur nga koronavirusi prej regjistrimit të rastit të parë katër muaj më parë.
“Ndoshta shifër më pak e raportuar, mirëpo njëjtë alarmuese, që tregon se nga fillimi i muajit korrik janë regjistruar më shumë se 159,000 vdekje shtesë, të lidhura me pandeminë në 24 shtete evropiane”, ka thënë Kluge.
“Këto vdekje janë përtej asaj që kemi pritur të ndodhë normalisht në këtë kohë të vitit”.
Kluge ka thënë se në gjithë Evropën, 94 për qind e të gjitha vdekjeve kanë qenë të personave të moshës mbi 60-vjeçare, dhe se gati gjashtë nga 10 viktimat kanë qenë burra.
Pothuajse të gjithë – 97 për qind – të atyre që kanë vdekur, kanë pasur edhe ndonjë sëmundje shtesë, sidomos ato të zemrës, ka thënë mes tjerash ai.
Pavarësisht pse OBSH-ja tani deklaron se rajoni i prekur më së keqi tani është kontinenti amerikan, numri i rasteve të prekura me koronavirus në Evropë përbën 36 për qind të numrit të përgjithshëm të të infektuarve.