Gjykata e Korçës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 24 të arrestuarit tre ditë më parë në kuadër të operacionit Knock Down.
Të njëjtën masë gjykata ka dhënë edhe për shtatë personat e tjerë që janë shpallur në kërkim për të njëjtën akuzë. 24 të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim ose më shumë se një herë. Për të shkuar tek operacioni i arrestimit të tyre, policisë së Korçës i është dashur një punë disa mujore me metoda speciale të përgjimeve telefonike e deri tek mbajtja në vëzhgim të vazhdueshëm.
Organi i akuzës është mjaftuar me paraqitjen para trupit gjykues vetëm të disa prej provave të mjaftueshme këto për të bindur gjykatën për masën e sigurisë. Ndërkohë që akuza nuk ka treguar shumë gjëra lidhur me rolin e të arrestuarve përfshi këtu edhe të personave që për të njëjtën vepër penale janë arrestuar edhe herë të tjera.
Policia pak ditë më parë në konferencën për shtyp ka bërë të ditur se priten edhe 70 arrestime të tjera për të njëjtën vepër penale.