Deklarata e ish-futbollistit Brambati se Thomas Strakosha është pozitiv me COVID-19 dhe se Lacio po e fshihte një gjë të tillë, ka bërë xhiron e të gjithë mediave në Itali dhe ka sjellë një reagim të ashpër nga klubi i portierit shqiptar.
Te Lacio e kanë përgënjeshtruar menjëherë këtë deklaratë duke kujtuar se jo më kot Strakosha kishte kaluar ditët e fundit në fizioterapi në ambientet e qendrës stërvitore, në kontakt me shokët e tjerë, ndërsa rikuperonte nga dëmtimi i pësuar që i kishte ndërprerë në mes stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës.
Mediat pranë klubit të Lacios tregojnë se në klub janë të bindur se deklarata të tilla, ashtu si edhe intervista e “Le Iene” me ish-menaxherin e Zarate që deklaronte se Lotito e kishte paguar nën dorë ishin sulme të organizuara për të përbaltur imazhin e klubit.
Gjithçka vjen nga fakti se Lacio tashmë po shqetëson “fuqitë e mëdha” në futbollin italian duke u kthye rnë një pretendente të vërtetë në luftën për titull.
Por te Lacio janë gati për luftë ndaj kujtdo dhe kjo duket qartë edhe nga fjalët e Ivo Pulçinit, shefit sanitar të klubit. Ai ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të zbatojë protokollin e izolimit të gjithë skuadrës nëse del një rast pozitiv.
“Po më thoni që duhet të mbyll në shtëpi 50 persona të shëndoshë nëse ka një të sëmurë, çfarë kuptimi ka? Komiteti Tekniko-Shkencor duhet të marrë për bazë edhe kurbën zbritëse të virusit. Ajo që ishte e vërtetë një muaj më parë, tani ka ndërruar plotësisht”, tha ai.