30 prilli është fati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2021.
Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2021 kanë pagë bruto vjetore mbi 2,000,000 lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Administrata Tatimore detyrimin për të plotësuar DIVA për vitin 2021 e kanë në total 82,178, nga të cilët 13,521 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë dhe 68,657 individë të dypunësuar.
“Theksojmë se nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Advertisement
Deklarata DIVA 2021, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipër përmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato.
Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit për sa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.
Bashkëlidhur, manuali “Si të regjistrohemi për DIVA”, nëpërmjet modulit e-filing.
https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=10226