
Policia e Tiranës ka arrestuar një 16 vjeçar në kuadër të operacionit policor të koduar “The last”,
Bëhet me dije se u vu në pranga shtetasi: O. H., 16 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”.
Ky shtetas, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se në kohë e vende të ndryshme, 16-vjeçari ka kryer një sërë vjedhjesh, ku 9 prej tyre janë zbardhur e dokumentuar me prova ligjore.
Prej muajit shkurt 2022 deri mbrëmjen e djeshme, që u kap në flagrancë pas një jave ndjekje nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, ky shtetas, ka vjedhur në 6 markete, në një magazinë, në një automjet dhe në një banesë, sende të ndryshme dhe shuma parash.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.