Dy gjimnazistë të një prej shkollave të mesme në periferi të qytetit të Korçës janë konfliktuar me njëri tjetrin paraditen e sotme.
Nga ky konflikt, janë lënduar të dy gjimnazistët, njëri prej të cilëve ndodhet në Spitalin e Korçës për të marrë mjekimin e nevojshëm, ndërkohë që nxënësi tjetër me dëmtime më të lehta është shoqëruar në mjediset e komisariatit ku po pyetet rreth ngjarjes.
Burime të siguruara thanë se të dy 17-vjeçarët janë konfliktuar me njëri-tjetrin një ditë më parë. Sherr të cilin e kanë vazhduar edhe ditën e sotme, duke futur në përdorim sende të forta.
Të njëjtat burime thanë se gjithçka ka ndodhur jashtë ambjenteve të shkollës së mesme të ndërtimit në Korçë.
Oficerët e policisë gjyqësore janë duke marrë në pyetje edhe të lënduarin tjetër që ndodhet në repartin e urgjencës në spitalin rajonal të Korçës.
Vetëm pak ditë më parë, në një shkollë 9-vjeçare të këtij qyteti, dy nxënës pas një konflikti të çastit janë plagosur me mjete prerëse.