Ekspertë kundër krimeve kibernetike dyshojnë se hakerat rusë po bëjnë kërdinë me kërcënime ndaj biznesmenëve dhe personazheve publikë në vend, duke i shantazhuar ata për t’ju marrë shuma të konsiderueshme në këmbim. Një burim i sigurt i gazetës “Si” pranë Policisë së Shtetit tha se janë grumbulluar disa denoncime personash të njohur, mes tyre edhe biznesmenë. Pretendimi i tyre është se iu janë piratuar rrjetet sociale dhe më pas ata ndeshen me kërcënime se do t’u publikohen të dhëna që do t’u shkatërronin jetën publike. Rasti më i fundit i kallëzuar është deponimi i një gazetari që mbulon politikën në vend.
Ai iu drejtua Policisë së Shtetit i shqetësuar, pasi sipas tij i kanë vjedhur passwordin, tregoi një burim që i konfirmuar më tej edhe pranë zyrtarëve të policisë u pohua vërtetësia. Thuhet për gazetën “Si” se piratët kibernetikë gjatë bashkëbisedimit ia kanë treguar se çfarë fjalëkalimi kishte për llogarinë personale. Por në vazhdim ndërsa komunikimi është zhvilluar në anglisht, autorët i kanë treguar se i kishin gjetur materiale interesante, të cilat do t’i shkatërronin reputacionin. Personazhi i njohur i thotë policisë se kjo gjë ka ndodhur përmes e-mailit zyrtar që disponon përpara 22 viteve dhe se përmes tij ka komunikuar me kolegë apo për arsye pune. “Nëse nuk na paguan 2 mijë euro i shkruajnë kërcënuesit, ne do t’i publikojmë të dhënat që përfituam nga emaili yt”. “Për të ma vërtetuar që kishin futur duart në llogarinë personale, ata më treguan fjalëkalimin, shton denoncuesi në polici”. I bindur dhe këmbënguluës se nuk disponon asnjë material shtrëngues që do ta vendoste në situatë të vështirë, gazetari i thotë policisë se kërkon zbulimin e autorëve.
“Nuk e di se çfarë mund të sajojnë këta persona dhe si mund ta keqpërdorin informacionin që kanë përfituar nga emaili, por mendoj që ky është një rast për të hetuar krimin kompjuterik”, shtohet më tej. Burime të policisë deklarojnë për gazetën “Si” se ky nuk është rasti i parë i përdorimit të kanosjes ndaj njerëzve publikë, por fare pak prej tyre kanë zgjedhur rrugën për të kërkuar ndihmën e ekspertëve të kibernetikës. “Vlen për t’u theksuar, – deklarohet më tej për gazetën “Si” – se mënyra si është ndërhyrë, shkruar, si kërkohen eurot shton dyshimet se autorët janë hakera rusë. Ata studiojnë individë me profil të caktuar, kryesisht artistë dhe personazhe publikë, por edhe edhe biznese të njohura. Duke përftuar nga masat e ulëta të sigurisë të emaileve të tyre, ata vjedhin gjithçka përfshin jeta e tyre online dhe më tej nisin kërcënimet”. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një biznesmen, i cili gjithashtu kërkon ndihmën e policisë. “Qytetarët nuk kanë informacion dhe nuk tregohen të kujdesshëm për jetën në internet dhe kjo sjell pasoja të mëdha, në shumë raste ne mendojmë që viktimat e hackerave u janë bindur atyre dhe kanë kryer edhe pagesat e kërkuara. Por në këtë mënyrë ata janë futur në grackën e kriminelëve që kanë shtuar kërkesat derisa shënjestra e tyre është dorëzuar dhe sërish ka shtrirë dorën për ndihmë pranë autoriteteteve”, shpjegon për gazetën “Si” një burim.
Më ndihmo… në facebook
Ata që janë të angazhuar me hetimin e krimit kompjuterik mendojnë se jeta virtuale po kthehet përditë e më e rrezikshme. Facebook dhe Instagram, për adoleshentët apo moshat e reja, është kthyer në një kurth të maniakëve që janë në kërkim të presë së tyre. “Në shumë raste ata janë shtetas në moshë të madhe, me një diferencë të konsiderueshme moshe me personin që hyjnë në komunikim. Në pamje të parë mund të ngjajë si një komunikim normal, por ata arrijnë në përfundim të krijojnë raport me zotëruesin e llogarisë, në një rrugë krej të re. Kjo metodë po përdoret nga personat me profil tradhtues që nuk përballen me asnjë kosto në jetën reale”, shpjegon për gazetën “Si” eksperti që ndërkohë këmbëngul se keqpërdorimi i rrjeteve në këtë aspekt pra për të tradhtuar është kundravajtja më e lehtë. “Përdoret për të mashtruar, dhe këta janë piratët e mëdhenj të internetit, kryesisht të huaj që mbivendosin llogarinë në websitet e kompanive ndërkombëtare të njohura, shumë qytetarë apo edhe biznese kallëzojnë mashtrimin pasi kanë porositur online një automjet, një ngarkesë malli apo porosive disamilionëshe”.
Por në anonimitet burimi i gazetës “Si” nuk harron të shtojë vështirësitë për zbardhjen e këtij krimi. “Kemi zbuluar krime kompjuterike pas kanosjeve për vendosje gjobe në internet. Kemi nën hetim edhe një denoncim nga Agjensia e Prokurimit Publik, pasi persona të paautorizuar kanë hapur një adresë app.gov.al dhe më pas aty kanë hapur rubrikën japim tendera. Kërkesa e fundit është në kundërshtim me dispozitat ligjore të prokurimit. Një rast tjetër mashtrimi kompjuterik që është nën hetim është ai i një biznesi që porositi në Itali 35 paleta sallatë jeshile La tuga, pagoi faturën nëpërmjet bankës prej 13 mijë euro, por ngarkesa nuk mbërriti asnjëherë te kërkuesi”. Por policia deklaron për gazetën “Si” se krimi më i ri duke përdorur facebook është ai i nisjes së një mesazhi në Facebook. “Ata futen në dy llogari facebook-u, nga njëra anë e viktimës që kanë piketuar se do i zhvasin para dhe shkruajnë nga adresa e facebook e një individi që kanë kuptuar se komunikohet më shpesh”, shpjegoi ekskluzivisht për gazetën “Si” eksperti.
“Denoncimi më i ri i përket një shtetasi që dikush “kushëriri “i kërkon t’i hedhë 1 mijë euro në x llogari se e ka urgjente çështjen dhe mos t’i tregojë askujt. Kam nevojë për ndihmë kur të takohemi të tregoj. Shtetasi A. Z. 43 vjeç ka vrapuar ta ndihmojë kushëririn që po i shkruante, por në të vërtetë në të dyja llogaritë ishte ndërhyrë nga piratët dhe kjo gjë u kuptua pas konfliktit mes të dyve, pasi kushëriri insistonte se nuk i kishte shkruar”. Denoncimi tjetër që sërish hedh dritë mbi mënyrën e re të mashtrimit përmes facebook dhe me të njëjtën formulë shpjegohet më së miri nga D. V. me banim në Kamëz. “Djali i xhaxhait më kërkoi në facebook para, ia nisa. Ai jeton në Greqi. Kur e mora në telefon dhe i thashë e zgjidhe, u habit tej mase dhe më pyeti çfarë?” tregon në denoncim viktima e hakerave. (SI)