Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, presidenti Vladimir Putin urdhëroi vendosjen në gatishmëri të lartë të forcave të parandalimit bërthamor. Mirëpo që prej atij paralajmërimi, është rritur edhe frika se Moska mund të përdorë armë bërthamore “taktike”.
Çfarë janë armët bërthamore taktike?
Armët bërthamore taktike përdoren në distanca relativisht të shkurtra. Kjo i dallon nga bombat bërthamore “strategjike”. Në Luftën e Ftohtë, këto ishin bombat që dy superfuqitë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, mund të lëshonin në distanca të gjata kundër njëra-tjetrës. Armët bërthamore taktike përfshijnë shumë lloje të armëve – bomba të vogla dhe raketa.
Këto armë besohet se gjenden në objektet e magazinimit, dhe ende nuk janë të dislokuara, pra të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve, ose në nëndetëse. Ekspertët janë të shqetësuar se Rusia mund të jetë më e gatshme të përdorë armë taktike të vogla sesa raketa strategjike të mëdha
Dy armë bërthamore ruse, me rreze të shkurtër veprimi
Sa të fuqishme janë këto armë?
Armët bërthamore taktike ndryshojnë shumë në madhësi dhe në fuqi. Arma më e vogël e këtij lloji mund të jetë një kiloton ose më pak, ndërsa më të mëdhatë ndoshta deri në 100 kilotonë. Efektet do të vareshin nga disa faktorë si madhësia e kokës bërthamore, sa larg mbi tokë mund të godasin, si dhe mjedisi ku mund të shpërthejnë.
Për krahasim, bomba që vrau rreth 146 000 njerëz në Hiroshima, Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte 15 kilotonë. Armët më të mëdha strategjike të Rusisë mendohet të jenë të paktën 800 kilotonë.
Sipas grafikëve të realizuar nga A2 CNN, shtetet që posedojnë arsenal të kokave bërthamor janë: Rusia me 6250, Amerika me 5500, Kina 350, Franca 290, Anglia 225, Pakistani 165, India 160, Izraeli 90 dhe Koreja e Veriut 20.
A duhet të shqetësohemi nga kërcënimi i Putinit për përdorimin e armëve bërthamore?
Presidenti Putin është shprehur disa herë lidhur me armët bërthamore të Rusisë, që në fakt është lexuar më shumë si një përpjekje për të ngjallur frikë dhe panik. Spiunët amerikanë e shohin këtë si një sinjal për Perëndimin, për ta bindur atë që të mos ndërhyjë më në Ukrainë, dhe jo si një shenjë se ai po planifikon një luftë bërthamore. Por të tjerë shqetësohen sepse, sipas tyre, ndonëse shanset janë të ulëta, është e mundur që Rusia, në kushte të caktuara, të tundohet të përdorë një armë taktike më të vogël në Ukrainë.
Inteligjenca amerikane thotë se Rusia ka një teori të quajtur “përshkallëzim për të depërshkallëzuar”. Kjo nënkupton përdorimin e një armë bërthamore taktike në fushën e betejës, ose demonstrimin e fuqisë së këtyre armëve si kërcënim për ta bërë më pas realisht. Thënë shkurt, ideja është të frikësohet pala tjetër dhe të tërhiqet.
Mirëpo, shqetësimi kryesor është se nëse Putin ndihet momentalisht i bllokuar dhe se strategjia e tij në Ukrainë po dështon, mund të përdorë armët bërthamore taktike, për të ndryshuar vijueshmërinë e luftës ose për të shmangur humbjen.
“Jam i shqetësuar se në këtë rrethanë që ndodhet momentalisht, Putini mund të përdorë një armë bërthamore, me shumë mundësi në Ukrainë për të tmerruar të gjithë.”
James Acton, Ekspert bërthamor në Carnegie Endowment for International Pace, Uashington
A mund të jetë përdorimi i armëve bërthamore vetëshkatërrues për Rusinë?
Putin pretendon se Ukraina është pjesë e Rusisë, kështu që përdorimi i armëve bërthamore në territorin e saj, duket i çuditshëm. Vetë Rusia është afër dhe kjo nënkupton se dhe ajo vetë mund të preket. E vetmja herë kur armët bërthamore janë përdorur në konflikt ishte nga SHBA-ja në fund të Luftës së Dytë Botërore kundër Japonisë.
Por a do të dëshironte Putin të bëhej lideri i parë që thyen tabu dhe t’i përdorë këto armë…
Disa shqetësohen se ai ka treguar gatishmëri për të bërë gjëra që të tjerët mendonin se nuk do t’i bënte, siç ndodhi me pushtimin e Ukrainës. Mirëpo, ekspertët analizojnë se një arsye tjetër pse Rusia do të ngurronte të përdorte armët bërthamore, është Kina.
“Rusia është shumë e varur nga mbështetja kineze, por Kina bazohet mbi doktrinën “të mos përdorë e para armë bërthamore. Pra, nëse Putini do t’i përdorte ato, do të ishte tepër e vështirë për Kinën t’i qëndronte pranë dhe me siguri do të humbiste Kinën.”
Dr. Heather Williams, Eksperte bërthamore në Kings College London
Përdorimi i këtyre armëve, a mund të çojë në një luftë bërthamore?
Askush nuk e di se ku do të çonte përdorimi i armëve taktike bërthamore. Mund të përshkallëzohet, por Putini gjithsesi nuk do të donte luftë bërthamore. SHBA-ja thotë se po monitoron nga afër situatën dhe aktivitetin bërthamor rus – për shembull nëse armët taktike po zhvendosen nga magazinimi. Deri më tani, ata thonë se nuk kanë parë ndonjë lëvizje dyshuese.
Është e vështirë të parashikohet se si do të reagonte SHBA-ja dhe NATO-ja ndaj çdo përdorimi bërthamor. Ata mund të mos duan të përshkallëzojnë më tej situatën, por në një rast hipotetik, kundërpërgjigjja do të ishte shumë e ashpër. E çfarë do të bënte atëherë Rusia??
“Pasi të jetë kaluar pragu bërthamor, është e vështirë të shohësh mbarimin.”
James Acton, Ekspert bërthamor në Carnegie Endowment for International Pace, Uashington