Mbyllja e lojërave të fatit në fund të vitit 2018 bëri që shumica e atyre që luanin në kazino apo pika bastesh të ktheheshin tek bixhozi online.
Janë me mijëra faqe që ofrojnë baste sportive apo alternativa të tjera të ngjashme me kumarin që mund të luhen online edhe përmes telefonit apo kompjuterit pa qenë nevoja të jesh fizikisht në një pikë basti.
Vetëm në vitin 2019 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është detyruar të mbyllë apo bllokojë aksesin në Shqipëri të mbi 8 mijë faqeve.
“Gjatë vitit 2019 është koordinuar me Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive për t’u përcjellë sipërmarrësve bllokimin në akses të faqeve ëeb/domain-eve, me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.
Me kërkesë të organeve kompetente, u janë dërguar për mbyllje aksesi ISP-ve rreth: – 8000 domain-e të cilat ofronin lojëra fati online në shkelje të ligjit respektiv për lojërat e fatit. 83 domain-e me anën e të cilave ofroheshin programe televizive në shkelje te ligjit respektiv për mediat audiovizive” thuhet në raportin vjetor të AKEP.
Fiksimi i shqiptarëve me lojërat online reflektohet edhe nëse i hedh një sy statistikave të “google” se çfarë këkrojnë më shumë në internet ku në totalin e 12 muajve të fundit ato që sheh janë faqe kerkimet me fjalen kyce “bet”(baste).
Qeveria vendosi në mënyrë të beftë në tetor të vitit 2018 që të mbyllte aktivitetin e lojërave të fatit në vend nga 1 janari 2019.
Vendimi edhe pse u kundërshtua nga industria u zbatua por një pjesë e kompanive deklaruan se do të zhvendoseshin në vendet fqinje teksa një trend tjetër i kafeveve që ofronin fshehtas lojëra online filloi të lulëzonte dhe këtë tendencë e ka konfirmuar edhe Policia e Shtetit në disa aksione të ndërrmara që kanë rezultuar edhe me ndalime.
Industria e lojërave të fatit punësonte 7 mijë individë sipas të dhënave të shoqatës që e përfaqësonte dhe qarrkullonte rreth 130 milionë euro në vit. Në një raport të tij Komsioni Europian vuri theksin gjatë vitit 2018 se lojërat e fatit përdoreshin si një mekanizëm për pastrim parash dhe paraqesnin risk.