Ukraina e ka nxitur Amerikën dhe aleatët e saj që të bashkohen. Por e ardhmja e vendit është ende e pasigurt, shkruan The Economist.
Tavolina gjigante ovale e Vladimir Putin në Kremlin është sa ekstreme, aq edhe e pahijshme. Qëndrimi larg vizitorëve të huaj, mund të jetë një mënyrë e distancimit social. Por tavolina vuri në dukje edhe hendekun që ndante liderin rus nga mysafiri i tij, Emmanuel Macron, presidenti i Francës.
Ajo reflekton edhe atë që diplomatët e quajnë “izolimi shqetësues i Putinit nga bota”. Askush nuk mund të dijë se çfarë ai ka ndër mend të bëjë teksa po grumbullon rreth 130,000 trupa ushtarake në kufijtë rreth Ukrainës. A do të nisë luftën më të madhe në Europë që nga rënia e Murit të Berlinit? Apo është e gjitha një blof i madh?
Më 7 shkurt, Macron ishte udhëheqësi i parë perëndimor me rëndësi, që vizitoi këtë vit Moskën për të marrë vesh synimet e zotit Putin. Para se të mbërrinte, presidenti francez tha se nuk besonte në një “mrekulli spontane”. Pas pesë orësh bisedimesh, nuk pati një rezultat të qartë.
Kur vizitoi Kievin të nesërmen, Macron tha se Putini ishte zotuar se Rusia “nuk do të ishte shkaku i një përshkallëzimi të konfliktit” në kufi. Kremlini e mohoi këtë dhe hodhi poshtë idenë se zoti Macron mund të negocionte çdo gjë.
“Franca është anëtare e NATO-s, por Parisi nuk është lider atje. Një vend tjetër e drejton këtë bllok”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit. “Pra, për çfarë marrëveshjesh mund të flasim?” Me pak fjalë, i vetmi bashkëbisedues që ka rëndësi është Amerika.
Zoti Putin, nga ana e tij, nisi një tjetër sulm të ashpër ndaj NATO-s. Ai tha se Ukraina duhet t’u përmbahet të ashtuquajturave protokolle të Minskut të viteve 2014-2015, ose më mirë, interpretimit të tyre nga Rusia. “Të pëlqen apo jo, duhet të durosh, bukuroshja ime”, tha lideri rus në mënyrë tallëse, ndoshta duke cituar tekstin e një kënge të turpshme mbi përdhunimin dhe nekrofilinë. Macron ka kërkuar prej kohësh marrëdhënie më të ngrohta me Putinin. Por, nëse diplomacia e tij shkon keq, ekziston rreziku që ai të shihet si një mashtrues, ose më keq, si një ndihmës i Rusisë në shkeljen e Ukrainës.
Megjithatë, alternativat nuk janë të shumta. Rusia ka grumbulluar përqendrimin më të dendur të fuqisë ushtarake në dekada. Ukraina është e rrethuar nga të tre anët. Anijet sulmuese amfibe ruse po grumbullohen në Detin e Zi. Më 5 shkurt, Amerika tha se Rusia kishte dërguar 70% të forcës së nevojshme që do t’i duhej për të pushtuar Ukrainën dhe se një sulm mund të ndodhte “në çdo kohë”.
NATO shqetësohet se stërvitjet e mëdha ushtarake në Bjellorusi, mund të jenë një maskë për një sulm të mundshëm. Ndërkohë, bombarduesit bërthamorë rusë kanë patrulluar në kufirin afër Polonisë.
NATO nuk do të luftojë për Ukrainën. Në vend të kësaj mundësie, Amerika dhe Europa kanë zgjedhur një përgjigje me tre drejtime: parandalimin, duke e armatosur Ukrainën dhe duke kërcënuar me sanksione të mëdha ekonomike Rusinë në rast se ajo sulmon; duke siguruar forca shtesë në Europën Qendrore dhe Lindore; dhe duke përdorur diplomacinë për të bindur zotin Putin.
Olaf Scholz, kancelari i ri i Gjermanisë, vizitoi Kievin dhe Moskën, pas zotit Macron. Tashmë ka pasur një takim të “trekëndëshit të Vajmarit” (liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë). Formati “Normandi” (zyrtarët nga Franca, Gjermania, Rusia dhe Ukraina) ishte caktuar që të mblidhej më 10 shkurt.
Zoti Macron ka ambicie më të mëdha. Me largimin e Angela Merkel, kancelares veterane të Gjermanisë, ai mund të kërkojë rolin e burrit më të lartë të shtetit në Europë. Përtej shmangies së luftës, ai dëshiron të zgjidhë statusin e Ukrainës, ta shtyjë Europën përsëri në qendër të skemës diplomatike dhe të vendosë një “sovranitet europian” më të madh dhe një rend të ri sigurie në kontinent.
Në përballjen ushtarake, Macron paralajmëroi për rrezikun e “inkandeshencës”. Por diplomatët francezë dhe gjermanë kanë qenë më të kujdesshëm në deklaratat se grumbullimi i forcave ruse sinjalizonte një pushtim “të afërt”, siç kanë pretenduar Amerika dhe Britania.
Zyrtarët europianë tani dëshirojnë të ndjekin një rrugë të ngushtë për të shmangur konfliktin. Kjo rrugë kalon përmes formatit të Normandisë, i vetmi forum ku Rusia dhe Ukraina mund të negociojnë drejtpërdrejti. Pavarësisht kërkesave të zotit Putin për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe kthimin e dislokimeve ushtarake, ajo çka duket se e shqetëson Rusinë më tepër, është pikërisht Ukraina.
Ky vend është zhvendosur drejt kampit perëndimor që nga viti 2014, kur një revoltë rrëzoi presidentin autokratik të mbështetur nga Moska, Viktor Janukovic. Kjo e shtyu Putinin që të aneksonte Krimenë dhe të nxiste një revoltë separatiste në rajonin lindor të Donbasit.
Nën trysni, Petro Poroshenko, presidenti i mëvonshëm i Ukrainës, pranoi marrëveshjet e Minskut. Ato ishin qëllimisht të paqarta. Nga ana e sigurisë, kërkonin një armëpushim, një tërheqje të armëve të rënda nga vijat e frontit, një shkëmbim të të burgosurve dhe largimin e “trupave të huaja”, pra trupave ruse.
Nga ana politike, Ukraina ra dakord që të bëjë ndryshime kushtetuese për të decentralizuar pushtetin, për të mbajtur zgjedhje lokale dhe për t’i dhënë Donbasit një status të veçantë. Ukraina do të lejohej të rimerrte kontrollin mbi kufirin e saj.
Ky status i Donbasit mbeti i paqartë, dhe po ashtu edhe pyetja nëse 1.5 milionë banorët e tij të zhvendosur nga konflikti, duhet të kenë të drejtë ta vendosin vetë të ardhmen. Ligji ukrainas nuk do të zbatohej atje. Donbasi do të kishte milicitë e veta lokale. Në sytë e Rusisë, qëllimi i marrëveshjeve të Minskut ishte që të krijohej një kalë trojan për t’i dhënë asaj kontrollin e Ukrainës.
Përpjekja e Poroshenkos në vitin 2015, për të bërë disa ndryshime të buta kushtetuese në Parlament, nxiti protesta të ashpra nga nacionalistët, duke rezultuar në vdekjen e disa gardave kombëtare. Por, duke sfiduar pritshmëritë e kolapsit të saj, Ukraina luftoi, mbijetoi dhe u konsolidua.
Ajo stabilizoi ekonominë, ndërtoi dhe modernizoi ushtrinë e saj. Siç thotë edhe rreshti i parë i himnit të saj kombëtar, “Ukraina nuk ka vdekur ende”. Edhe pse nuk mundi të zbatonte marrëveshjet e Minskut, zoti Poroshenko nuk i anuloi ato. Ndërsa kriza në Ukrainë po shpërthen sërish, liderët europianë po i kërkojnë pasuesit të tij, Volodymyr Zelensky, që të riangazhohet me marrëveshjet e Minskut.
Por zbatimi i marrëveshjeve është bërë shumë më i vështirë. Rusia ka forcuar kontrollin e saj mbi territoret separatiste. Ajo ka krijuar një forcë me rreth 40,000 trupa ushtarake, ka eliminuar disa nga komandantët e parregullt dhe ka vendosur udhëheqësit e saj. Rusia ka shpërndarë qindra mijë pasaporta për banorët e Donbasit, shumë prej të cilëve votuan vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare të Rusisë.
Rikthimi i Donbasit në Ukrainë, sipas kushteve të Rusisë, mund të shënojë fundin e Ukrainës si një shtet sovran, siç kanë frikë shumë ukrainas. Një shqetësim është se ndryshimi kushtetues që çon në “federalizim”, do t’i jepte Donbasit (dhe si pasojë Rusisë), të drejtën e një vetoje ndaj politikës pro-perëndimore të Ukrainës, veçanërisht aftësisë së saj për t’u bashkuar me NATO-n.
Një shqetësim tjetër është se kjo do të gërryejë vendin nga brenda, duke i dhënë Rusisë më shumë mënyra për të ndërhyrë në punët e brendshme. Siç thekson gazeta ukrainase Zerkalo Nedeli, të detyrosh Ukrainën të miratojë marrëveshjet e Minskut, është si “një ekzekutim i ngadaltë dhe i dhimbshëm – jo duke e qëlluar vendin, por duke e injektuar me helm vdekjeprurës”.
Në një kohë kur popullariteti i tij është nën 25%, një krizë energjetike po afrohet dhe kostoja e jetesës po rritet, Zelensky do të përballet me protesta masive nëse ukrainasit konstatojnë se ai po përpiqet të shesë vendin.
Shmangia e metodës finlandeze
Megjithatë, disa politikanë veteranë ukrainas, duke përfshirë Arsen Avakov, ish-ministër i Brendshëm, dhe zotin Poroshenko, besojnë se Ukraina është më e fortë se sa duket. Ata mendojnë se Putin do të luftonte për ta detyruar Ukrainën të dorëzojë sovranitetin e saj.
Por pas gati tetë vitesh luftë, ushtria e Ukrainës, një nga më të mëdhatë në Europë, është forcuar. Kjo, së bashku me mbështetjen më të fortë nga jashtë, mund të shpjegojë pse elita e Ukrainës është relativisht e qetë. “Mesazhi im është: mos i besoni Putinit dhe mos kini frikë nga Putini”, thotë zoti Poroshenko. “Forca dhe vendosmëria janë e vetmja gjuhë që funksionon”.
Ukraina mund të tolerojë një version të marrëveshjeve të Minskut që nuk i plotëson tërësisht kërkesat e zotit Putin. Për shembull, ajo mund të pranojë të negociojë me krerët e sapoemëruar të Donbasit, me kusht që Rusia të largojë forcat e saj ushtarake. Ose mund të pajtohet për të mbajtur zgjedhje dhe për të shtrirë decentralizimin, duke lejuar “statusin e veçantë” për Donbasin, për sa kohë që zbatohen ligjet ukrainase.
Ndërkohë, Putin mund të llogarisë se nëse pret që pushteti i zotit Zelensky të lëkundet dhe të ndihet kriza ekonomike, mund të jetë gjë më pak e rrezikshme sesa lufta. Rusia do të kishte nevojë për të paktën 700,000 trupa për të kapur dhe për të pushtuar Ukrainën, sipas disa analistëve.
Në fakt, edhe pse askush në NATO nuk mendon se Ukraina është e përshtatshme për t’u bashkuar me aleancën, grupi nuk duhet të mbyllë politikën e tij “të dyerve të hapura” përballë kërcënimeve ruse. Disa diplomatë europianë mendojnë se gjendja mund të qetësohet nëse vetë Ukraina do të deklaronte neutralitetin e saj, siç bënë Austria dhe Finlanda pas Luftës së Dytë Botërore. Kur e pyetën mbi “finlandizimin”, Macron tha se kjo ishte “një mundësi”, por këmbënguli se negociatorët duhej “të krijonin diçka të re”. Diplomatët rusë kanë thënë se mund ta pranonin si ide.
Problemi është se Ukraina ka shkruar në Kushtetutën e saj se dëshiron të bashkohet me NATO-n. Për më tepër, megjithëse Finlanda dhe Suedia nuk janë anëtare të NATO-s, ato janë shumë të lidhura me aleancën. Sjellja brutale e Rusisë po ndez një debat brenda të dyja vendeve rreth anëtarësimit. Për më tepër, Finlanda, Suedia dhe Austria, janë të gjitha anëtare të BE-së, gjë që nuk i pëlqen zotit Putin.
Procesi i Normandisë i jep Francës dhe Gjermanisë një shans për të kërkuar një vend në bisedimet me Rusinë, të cilat deri tani kanë qenë të dominuara nga Amerika dhe NATO. Edhe pse janë anëtarë të NATO-s, francezëve nuk u pëlqen ideja që t’i marrin informatat në mënyrë të përciptë nga amerikanët.
Dy vite më parë, Macron e quajti NATO-n një organizatë “të vdekur” për shkak të një problemi të dyfishtë: Amerika nën drejtimin e Donald Trump nuk ishte më e zonja që të garantonte sigurinë e Europës; dhe disa anëtarë, si Turqia, po vepronin në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me aleatët.
Megjithatë, që atëherë, NATO duket se është ringjallur në mënyrë të mrekullueshme. Nën presidentin Joe Biden, Amerika dha alarmin për forcimin e Rusisë dhe koordinoi reagimin perëndimor. “Putini i ka dhënë NATO-s një injeksion me vitamina”, thotë Wolfgang Ischinger, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut. Pasiguria e NATO-s për rolin e tij pas Luftës së Ftohtë, është venitur.
Pasi kreu operacione “jashtë zonës” në Ballkan dhe kundër kryengritjeve në Afganistan, aleanca po rikthehet në rrënjët e veta: mbrojtja territoriale e aleatëve. Kërkesat në Bruksel që BE-ja të ketë një aftësi mbrojtëse autonome, për momentin janë ndalur.
Në këtë krizë, BE-ja është lënë mënjanë, ndoshta në mënyrë të pashmangshme. Që kur Franca bllokoi idenë e një Komuniteti Europian të Mbrojtjes me një ushtri pan-europiane në vitin 1954, integrimi europian është arritur kryesisht me mjete ekonomike. Megjithatë, tani Franca po kërkon që BE të ndërtojë kapacitetin e saj ushtarak.
Aleanca rikthehet në jetë
Atlanticistët janë shqetësuar prej kohësh se BE-ja, në rastin më të mirë, do të shpërndante aftësitë tashmë të pakta ushtarake, dhe në rastin më të keq, do ta ndante Amerikën nga Europa. Kompromiset që pasuan kanë krijuar një sërë strukturash dhe nismash europiane, por pak muskuj ushtarakë.
Për shembull, që nga viti 2007, BE-ja ka pasur dy grupe betejash me nga rreth 1500 ushtarë, për t’i mobilizuar ato në raste urgjente. Ajo kurrë nuk i ka përdorur, megjithëse ka montuar misione të tjera ushtarake të posaçme. Për të shmangur Rusinë, janë angazhuar pikërisht anëtarët e NATO-s, individualisht dhe kolektivisht, duke përfshirë Francën, për të dërguar trupa ushtarake në ndihmë të aleatëve të tyre në Europën Lindore.
“Bashkimi Europian nuk mund ta mbrojë Europën”, thotë Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke vënë në dukje se “80% e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s vijnë nga anëtarët jashtë BE-së”. Pesha ushtarake e NATO-s vjen kryesisht nga SHBA-ja. Edhe Britania, Islanda dhe Norvegjia, të cilat nuk janë në BE, janë jetike për të siguruar krahun verior të Europës, së bashku me Kanadanë.
Në mënyrë të ngjashme, pavarësisht tensioneve me aleatët e saj në NATO, Turqia e mbështet Ukrainën dhe ankoron aleancën në juglindje. Në këmbim, NATO e ndihmon Amerikën duke i mundësuar asaj një rrjet të gjerë miqsh dhe aleatësh. Europa dhe Amerika e Veriut, thotë Stoltenberg, duhet të qëndrojnë në “solidaritet strategjik”.
Pavarësisht epërsisë së saj, NATO nuk mund ta zgjidhë dot problemin e Rusisë. Aleanca nuk përfshin Finlandën dhe Suedinë. Megjithëse ato nuk mbulohen nga neni 5 i NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati, është një sulm ndaj të gjithëve, këto shtete janë të mbrojtura nominalisht nga dispozita e mbrojtjes reciproke në nenin 42 (7) të traktatit të BE-së.
Për më tepër, është BE-ja ajo që koordinon dhe vendos sanksione ekonomike. BE është gjithashtu jetike në ndërtimin e një sistemi energjie më elastik, duke përfshirë një treg të brendshëm që u lejon vendeve të tregtojnë energji elektrike dhe gaz natyror. Në Ukrainë, BE-ja ka dhënë me miliarda euro ndihmë për të ndihmuar në reformimin e ekonomisë së rrënuar nga korrupsioni.
Brenda NATO-s dhe BE-së, ka pasur më pak mosmarrëveshje sesa pritej. Askush nuk e vë në dyshim parimin e sanksioneve “masive” kundër Rusisë në rast se ajo pushton Ukrainën. Pas disa ngurrimeve, Scholz e pranoi se Nord Stream 2, një tubacion gazi që pritet të lidhë Rusinë me Gjermaninë, do të eleminohet. Të gjithë e kuptojnë rrezikun e një Rusie luftarake që kërkon të ripërcaktojë me dhunë kufijtë ndërkombëtarë të Europës.
Po sikur Rusia të ndërmarrë një veprim më të vogël – diçka më pak se një pushtim? Dhe si duhet reaguar ndaj veprimeve joushtarake në “zonën gri”, si një sulm kibernetik? Zoti Biden tha pa kujdes se një “inkursion i vogël” mund të nxiste një përgjigje më të vogël. Por ka pasur pak diskutime të hollësishme për eventualitete të tilla. Shumë aleatë kanë frikë se kjo do të ekspozonte përçarjet midis tyre; ndryshe nga një sulm në shkallë të plotë.
Macron e sheh krizën në Ukrainë si një shans tjetër për të promovuar idenë e “sovranitetit europian”. Disa zyrtarë në Paris kanë diskutuar mbi një “moment rithemelues”. Në një fjalim të fundit në Parlamentin Europian, Macron përshëndeti sovranitetin në rritje të BE-së, duke e përcaktuar atë gjerësisht, nga blerja kolektive europiane e vaksinave, te politika monetare e Eurozonës. Por ai foli gjithashtu për ndërtimin e “një rendi të ri sigurie dhe stabiliteti” në Europë, për të cilin ranë dakord europianët, aleatët e NATO-s jashtë BE-së dhe Amerika.
Nuk është shumë e qartë se çfarë nënkuptojnë deklarata të tilla. Disa sugjerojnë se ai po u referohet gjërave si nevoja për një regjim të ri të kontrollit të armëve në Europë pas tërheqjes së Trump në vitin 2019 nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe erozionit të besimit në SHBA.
Asnjë nga këto nuk është kompetencë e BE-së. Këto pika gjithsesi janë përfshirë në përgjigjet e fundit të Amerikës dhe NATO-s ndaj Rusisë. Për më tepër, qeveria franceze nuk dëshiron të tërhiqet drejtpërdrejt në bisedimet për kontrollin e armëve bërthamore me Rusinë, sepse nuk dëshiron që të vihet në pikëpyetje sistemi i saj force de frappe.
Amerika është rikthyer. Por, për sa kohë?
Macron e kupton më mirë se shumica e paraardhësve të tij, dyshimin dhe pakënaqësinë që mund të shkaktojë kjo retorikë. Ai është më i gatshëm që të konsultohet me anëtarët e tjerë të BE-së, sesa presidentët francezë në të kaluarën.
Jacques Chirac, i cili ishte kundër zgjerimit të BE-së në Europën Lindore dhe Qendrore, dikur tha se qeveritë në atë rajon do të bënin më mirë ta “mbyllnin gojën”. Ndryshe nga ai, Macron thotë se “traumat” e vendeve që jetuan nën sundimin sovjetik, duhet të kuptohen.
Sidoqoftë, francezët nuk janë të vetmit që mbështesin idenë e sovranitetit europian. Kjo ide është përmendur, për shembull, edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së kancelarit Scholz. Estonezët i janë bashkuar Nismës së Ndërhyrjes Europiane, të udhëhequr nga Franca, që është një forum mbi të menduarit dhe planifikimin strategjik europian. Kësaj nisme i është bashkuar edhe Britania.
Ideja se europianët duhet të angazhohen më shumë për të mbrojtur veten, është forcuar jo vetëm nga agresiviteti rus, por edhe nga dyshimet për angazhimin e Amerikës.
Zoti Trump mund të rikthehet në pushtet në vitin 2025. Për më tepër, të gjithë presidentët e fundit amerikanë kanë pasur prirjen që të largohen nga Europa dhe Lindja e Mesme, për t’u përqendruar në Azi, në garën me Kinën. Në të vërtetë, disa e shohin përpjekjen e re të Amerikës në Europë, si një sinjal, jo vetëm për Rusinë, por edhe për Kinën, për ta penguar atë që të mos sulmojë Tajvanin.
“A kemi ne një plan B për atë çka duhet të bëjë BE-ja nëse NATO do të humbiste partnerin kryesor?” pyet zoti Ischinger. “Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë kurrë, por është diçka që duhet marrë parasysh”. Megjithatë, pa hegjemonin amerikan, është ende e vështirë të parashikohet që europianët mund të ndërmarrin një përgjigje koherente.
Vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në BE, kërkojnë unanimitet. Përparësitë e vendeve europiane ndryshojnë. Për shembull, vendet jugore duan të përqendrohen te Mesdheu dhe emigracioni, ndërsa vendet lindore kanë përparësi Rusinë.
Për më tepër, janë të ndryshme edhe instinktet politike dhe strategjike. Franca favorizon përdorimin e fuqisë ushtarake, por nuk i pëlqen ideja e NATO-s të mbizotëruar nga Amerika. Gjermania e përqafon aleancën, por për arsye historike, ngurron në përdorimin e forcës ushtarake.
Ndërsa Britania është larguar fare nga BE-ja. “Kjo është dilema europiane”, thotë një diplomat gjerman. “Sovraniteti europian është i pamundur. Por nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm se tani”./ Përktheu: Monitor