A do ta pushtojë Rusia, Ukrainën?
I vetmi person që mund ta dijë me siguri këtë është Vladimir Putin. Presidenti rus ka urdhëruar grumbullimin e trupave ruse në kufi më Ukrainën. Vendimi përfundimtar nëse do ta pushtojë apo jo vendin fqinj, do të merret vetëm nga ai.
Por cili do të jetë vendimi i Putin?
Kjo varet nga versioni i liderit rus që zgjidhni të besoni: Një“Putin Racional”apo një“Putin të Çmendur”.
Shumica e politikëbërësve perëndimorë besojnë tek“Putini Racional”, pasi ata argumentojnë se pas më shumë se 20 vitesh në pushtet, lideri rus është i njohur për sjelljet dhe taktikat e tij. Ai është i pamëshirshëm dhe pa moral. Por ai është gjithashtu mendjemprehtë dhe kalkulator. Putin vërtet mer rrezikun e disa gjërave, por nuk është i çmendur.
Por ndërkohë ka edhe analistë të tjerë, që besojnë te çmenduria e Putin. Ata mendojnë se Putin është në pushtet prej një kohë të gjatë, ndaj po bëhet gjithnjë e më i jashtëzakonshëm dhe paranojak, shkruan abcnews.al
Pandemia sigurisht i ka përkeqësuar gjërat. Dhe aktualisht, Putin po dëgjon një rreth të rrezikshëm dhe të vogël këshilltarësh nacionalistë. Si dëshmi të asaj se “Putin Racional” është shndërruar në “Putin e Çmendur”, është prirja e fundit e liderit rus për botimin e artikujve të gjatë me frymë nacionaliste mbi historinë dhe kulturën.
Në korrikun e vitit të kaluar, ai shkroi mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve, duke e cilësuar pavarësinë e Ukrainës si një çmenduri të historisë.
Po ashtu vitin e kaluar, Putin botoi një artikull mbi origjinën e Luftës së Dytë Botërore, duke pretenduar se Britania dhe Franca e kishin inkurajuar qëllimisht Gjermaninë naziste që të sulmonte Bashkimin Sovjetik. Këto ide pasionante, tregojnë se udhëheqësi rus mund të drejtohet gjithnjë e më shumë nga emocionet dhe teoritë konspirative.
Diplomacia perëndimore në lidhje me Ukrainën, është krijuar në një mënyrë të tillë për të negociuar me një “Putin Racional”. Si SHBA-ja, po ashtu edhe europianët po ndjekin një politikë të njejtë. Synimi është t’i tregojmë Putinit se kostoja e një sulmi ndaj Ukrainës do të jetë shumë i lartë, raporton abcnews.al
Ushtria ruse do të humbasë shumë ushtarë, ekonomia ruse do të goditej nga sanksionet e ashpra dhe kombi rus do të bëhet gjithnjë e më i izoluar. Duke qenë përballë kësaj perspektive jo tërheqëse, Perëndimi po përpiqet që t’i ofrojë Putinit disa opsione diplomatike, të cilat nga njëra anë i japin atij statusin e fuqisë së madhe, dhe nga ana tjetër mundësinë për të nisur bisedime të gjera mbi sigurinë e Europës.
Shpresat se Putin mund të bëjë një llogaritje të arsyeshme për t’u tërhequr nga konflikti, janë rritur për shkak të disa prej deklaratave të tij të fundit për mediat.
Sugjerimi i tij se SHBA-ja po përpiqet qëllimisht që ta tërheqë Rusinë në një luftë, mund të shihet si përgatitje e terrenit për tu tërhequr.
Tek e fundit: Pse duhet të zhvilloni një luftë, nëse kjo është ajo që dëshiron armiku juaj?
Por supozimi i SHBA-së, është se lufta ka më shumë gjasa të ndodhë. Kjo pikëpamje nuk bazohet në atë që po thotë, por në atë që po bën Putin. Gjatë dy javëve të fundit, amerikanët kanë parë përshkallëzimin e grumbullimit të trupave ruse në kufi. Ata janë veçanërisht të shqetësuar nga një përqendrim i ri i forcave në Bjellorusi.
Udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, po lejon Moskën ta përdorë vendin e tij si bazë për një pushtim të mundshëm. Ndërkohë, rusët po kryejnë të gjitha përgatitjet logjistike që do të nevojiteshin për një luftë, analistët ushtarakë mendojnë se forcat ruse mund të rrethojnë apo edhe pushtojnë shumë shpejt Kievin.
Por ata që besojnë tek “Putini Racional”, argumentojnë se udhëheqësi rus e di se një pushtim në shkallë të plotë i Ukrainës do të ishte marrëzi.
Ata mendojnë se Putin ka më shumë gjasa të ndërmarrë veprime të kufizuara ushtarake, ndoshta vetëm në Ukrainën Lindore. Një ofensivë e kufizuar mund ta përçajë, në vend që ta bashkojë Perëndimin, ndërsa aleatët do të konfliktohen mbi përgjigjen ndaj Moskës.
Qeveria ukrainase mund të destabilizohet. Dhe Rusia do të ruante opsionin e njohjes së zonave të Ukrainës Lindore si republika të veçanta. Të gjitha këto lëvizje mund të klasifikohen si të rrezikshme, por racionale. Por nëse është “Putin i Çmendur”, ai që po drejton tani lojën, ka të ngjarë që Rusia të ndërmarrë veprime shumë më radikale.
Po sikur Putin ta besojë vërtet propagandën e tij?
Besimi tek “uniteti i rusëve dhe ukrainasve” - i kombinuar me besimin paranojak se SHBA-ja po manipulon ngjarjet në Ukrainë mund ta bëjë udhëheqësin rus të nënvlerësojë në mënyrë të rrezikshme realitetin e nacionalizmit ukrainas.
Rrjedhimisht, Putin mund të mos e kuptojë plotësisht shkallën e rezistencës që do të hasnin forcat ruse, nëse përpiqen ta pushtojnë apo dhe nëse e pushtojnë Ukrainën.
Skenari i fundit është se “Putini Racional” mund të pretendojë të jetë “Putin i Çmendur”.
Ishte Richard Nixon ai që foli i pari për “teorinë e të çmendurit”, kur presidenti amerikan u tha ndihmësve se mund të ishte shumë e dobishme nëse armiqtë e SHBA-së të mendonin se ai ishte aq shumë i çmendur sa të përdorte armët bërthamore.
Por kufiri midis të vepruarit si i çmendur dhe të qenit realisht i çmendur është shumë i hollë.
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al