Ministri ukrainas: Nuk befasohemi nga sulmet e fabrikuara ruse

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ministri ukrainas: Nuk befasohemi nga sulmet e fabrikuara ruse

Ukraina është njoftuar nga agjencitë amerikane të zbulimit mbi planet ruse për prodhimin e filmimeve propagandistike të një sulmi nga forcat ukrainase dhe shfrytëzimin e tyre si pretekst për të nisur një ofensivë ushtarake. Ndërsa Kievi pret më shumë hollësi rreth këtyre raportimeve, Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba thotë se sulmet e fabrikuara ruse janë të pritshme.

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se nuk është i befasuar nga raportimet rreth mundësisë që Rusia të fabrikojë sulme dhe të përdorë ato si pretekst për të pushtuar Ukrainën.

“Informacionet e publikuara nuk na befasojnë. Nga viti 2014 kemi parë shumë veprime tinëzare nga Rusia. Ne kemi parë se ata nuk ndalen në përpjekjet për të sajuar diçka që pastaj të akuzojnë Ukrainën. I gjithë operacioni i jashtëligjshëm i pushtimit të Krimesë u krye përmes sulmeve të fabrikuara. Ushtarët rusë hoqën të gjitha simbolet nga uniformat ushtarake, që askush të mos i identifikonte”, tha zoti Kuleba në një konferencë shtypi.

Shtetet e Bashkuara akuzuan Kremlinin të enjten për komplot për të fabrikuar një sulm të forcave ukrainase në territorin rus dhe përdorimin e tij si pretekst për të sulmuar Ukrainën.

Advertisement

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se skema përfshin prodhimin e disa pamjeve të rënda propagandistike të një shpërthimi të inskenuar me aktorë.

ShBA nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre pretendimeve.

Plani për një sulm të rremë ndaj territorit rus ose një grupi njerëzish që flasin rusisht përshkruhet në dokumente të deklasifikuara të zbulimit amerikan, që ditëve të fundit janë ndarë edhe me zyrtarët ukrainas dhe aleatët evropianë.

Kriza Moskë-Kiev pritet të diskutohet këtë muaj në Berlin në një takim midis Gjermanisë, Rusisë, Ukrainës dhe Francës./VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy