Gjatë takimit me të rinjtë e FRPD, kryedemokrati Lulzim Basha tha se duhet ndjekur modeli amerikan që një kryeministër të mos qëndrojë në pushtet për më shumë se dy mandate.
Sipas Bashës, në rast se kryeministri nuk e ka realizuar vizionin e tij në 8 vite, nuk mund ta bëjë për më shumë.
“Ëndrrat e asaj rinie nuk janë realizuar. Shumë prej tyre sot janë në emigracion. Të njëjtin fat e presin shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj, me politikanë që duan të vdesin në karrigen e pushtetit. Duke filluar nga ky që çdo vit thotë do ta lë politikën. Pushteti pa masë korrupton. Është natyrë e pushtetit dhe e njeriut. SHBA, thonë jo më shumë se dy mandate. Këtë kam propozuar edhe unë, edhe PD.
Më i zoti në botë të jesh, nëse nuk e ke realizuar vizionin tonë për dy mandate, atëherë duhet të lirosh vendin. Vettingu i pasurisë duhet të bëhet për politikanët. Atë që e kërkojnë për të gjithë, vetëm për vete nuk e pranojnë. Pse? Sepse sot në politikë nuk numërohen me gishtat e një dore por janë shumë ata që nuk përfaqësojnë interesat e njerëzve. Ata që kanë ardhur si vullnet i botës së krimit. Kufizimi i afatit të të qëndruarit në pushtet. Dy mandate për kryeministrin. Dy mandate dhe pas kësaj kthehet në qarkullim. Mund të fitojë sërish një parti”, deklaroi Basha.