Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Blendi Sulaj i cili ndodhej brenda godinës gjatë protestës së 8 Janarit ka rrëfyer omomentet kur mbështetësit e Berishës tentuan të futen brenda selisë.
Ai thotë se ato ishin orët më të trishta dhe më të vështira për të gjithë ata dhe për familjarët dhe miqtë. Sulaj shton se e kanë telefonuar edhe nga jashtë Shqipërisë pasi nuk e besonin dot atë që po ndodhte në PD.
“Të shtunën në 8 janar u gjendëm përpara një grupi të strukturuar dhune i cili ishte paguar për të na dhunuar. Orët e sulmit të drejtuar dhe të paralajmëruar nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike, ishin orët më të trishta, por edhe më të vështira për të gjithë ne që ishim brenda selisë, por edhe më shumë për familjet tona, miqtë dhe mbarë qytetarët shqiptarë të cilët nuk mund ta besonin dot se në selinë e Partisë Demokratike një njeri për interesat e tij personale mund të shkelte mbi kufoma.
Më kanë telefonuar, më kanë shkruar nga jashtë Shqipërie dhe nuk mund ta besonim dot që në selinë e Partisë Demokratike mund të shiheshin skenat më të zeza të tranzicionit shqiptar”, shprehet ai.