Komuniteti i futbollit shqiptar i dha sot lamtumirën e fundit Presidentit të Elbasanit, Arben Laze, i cili u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare pas probleme kardiake.
Homazhet në nderim të Lazes u zhvilluan sot nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërkohë që i gjithë Elbasani ishte i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Arben Lazes, që njihet si njeriu që ka dhënë kontributin më të madhe për futbollin ndër vite për këtë qytet.
Të pranishëm në homazhe ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të FSHF-së, që nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.presidenti Lutfi Nuri, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si edhe zyrtarë të FSHF-së.
Pas homazheve, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, shprehu ngushëllimet për këtë humbje të madhe, teksa vlerësoi edhe kontributin që Arben Laze ka dhënë ndër vite për futbollin e Elbasanit.
“Jam sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut tim, Arben Lazes dhe gjithashtu në emër të Presidenti Duka dhe Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arbenit, klubit të Elbasanit dhe gjithë komunitetit të futbollit në këtë qytet për këtë humbje të madhe”, – tha Shulku në një prononcim për mediat.