Një gjykatë apeli në shtetin e Nju Jorkut pezulloi të martën një pjesë të vendimit të një gjykatësi që ndalonte gazetën New York Times të raportonte lidhur me dokumentet e përgatitura nga një avokat i grupit konservator Projekti Veritas.
Gjykatësi i Apelit William Ford në Brooklyn tha se gazeta nuk duhet të dorëzojë ose shkatërrojë kopjet e memorandumeve të përgatitura nga avokati i Project Veritas, Benjamin Barr, ndërsa vazhdon procesi i apelimit ndaj ndalimit për të raportuar për ato dokumenta.
Të premten, me një vendim që alarmoi mbojtësit e Amendamentit të Parë të kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes dhe të shtypit, gjyqtari Charles Wood i Gjykatës së Lartë të distriktit Westchester në shtetin e Nju Jorkut tha se memorandumet e përgatitura nga Barr nuk ishin me interes për publikun dhe hodhi poshtë pretendimin e gazetës New York Times se ndalimi i pasqyrimit të tyre do të pengonte në mënyrë jokushtetuese punën e saj gazetareske.
Bordi redaksional i gazetës e quajti vendimin e gjykatësit Wood të rrezikshëm dhe arsyetimin e tij “tepër shqetësues”, duke thënë se asnjë gjykatë nuk duhet t’u diktojë mediave se si të bëjnë punën e tyre dhe t’i ekspozojë ato ndaj rrezikut të padive joserioze për shpifje si një mjet për të kontrolluar mbulimin e lajmeve.
Gjykatësi Ford urdhëroi që Project Veritas të argumentojë deri më 14 janar 2022, se pse vendimi i gjykatësit Wood duhet të mbetet në fuqi ose të paktën të mos pezullohet ndërsa gazeta kryen një proces të përshpejtuar apelimi ndaj vendimit.
Elizabeth Locke, një avokate për Projektin Veritas, tha në një email se grupi “ra dakord me kërkesën shumë të kufizuar të gazetës për të ruajtur status quo-në ndërsa vazhdon apeli, sepse funksionimi i duhur i drejtësisë është thelbësor për demokracinë amerikane, Amendamentin e Parë dhe lirinë e shtypit që ai mbron.”
Zëdhënësi i New York Times, Jordan Cohen tha në një email se gazeta ishte e kënaqur që pjesë e “urdhrit antikushtetues” të gjykatësit Wood u bllokua dhe se shpresonte që Divizioni i Apelit ta shfuqizonte plotësisht urdhrin.
I drejtuar nga James O’Keefe, Projekti Veritas ka përdorur taktika që kritikët i shohin si mashtruese për të ekspozuar atë që projekti e përshkruan si paragjykim liberal në media.
Grupi po hetohet nga Departamenti i Drejtësisë për rolin e mundshëm në vjedhjen e një ditari të vajzës së Presidentit Joe Biden, Ashley, pjesë të së cilit janë botuar në një faqe interneti të djathtë.
Projekti Veritas kishte paditur gazetën New York Times për shpifje në lidhje me një artikull të shtatorit 2020, i cili ekspozonte si mashtrim një video që kishte publikuar grupi ku pretendonte se kishte pasur manipulim të votuesve në Minesota.
Më pas, grupi kishte kundërshtuar një artikull të 11 nëntorit të gazetës që bazohej tek dokumentat e zotit Barr, duke e quajtur botimin një përpjekje për të vënë në pozitë të vështirë palën kundërshtare në një çështje gjyqëzore.
Gazeta New York Times nuk ishte përballur me kufizime ndaj mbulimit të saj që nga viti 1971, kur administrata e ish-presidentit Richard Nixon u përpoq pa sukses të bllokonte publikimin e Dokumenteve të Pentagonit që detajonin përfshirjen ushtarake të SHBA-së në Vietnam.