Ministria e Ekologjisë ka aktivizuar alarmin për ajër të ndotur në Shkup dhe Strumicë. Dy ditë me radhë në katër lokacione në kryeqytet dhe në Strumicë, ndotja është më e lartë se 150 mikrogramë grimca PM10 në ajër. Për këtë, Ministria e Ekologjisë propozon që të lirohen nga puna gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë, ndërsa punëdhënësit në Shkup dhe Strumicë të riorganizojnë orarin e punës, dhe punëtorët në mjedis të hapur të punojnë nga ora 11 deri në 17:00. Rekomandohet të mos organizohen gara sportive dhe ngjarje të tjera kulturore në ambient të hapur, ndërsa kujdesi mjekësor emergjent duhet të ketë kushte për vizitë në shtëpi dhe shërbim patrullimi.
Qeveria duhet t’i obligojë institucionet që janë nën pronësi të shtetit dhe pushtetin lokal, në këtë rast, në Shkup dhe Strumicë, ta reduktojnë përdorimin e automjeteve zyrtare deri në 50% si dhe të kufizojnë punët ndërtimore nëpër objekte.
Inspektorati i ekologjisë duhet të ketë kontrolle të shtuara në fabrikat me leje A dhe të bëhet matja e rregullt e emetimeve të ndotjes në ajër.
Për shkak të ajrit të ndotur, prej sonte në ora 18:00 transporti publik dhe ai privat është falas. Siç njoftuan nga Qyteti i Shkupit, janë shpallur disa masa për uljen e ndotjes së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Përveç transportit falas, janë shpeshtuar edhe kontrollet e inspektorateve dhe janë kufizuar punët ndërtimore, kështu që do të ketë kontrolle më intensive në kantieret e ndërtimit. Auto-shkollat do të punojnë me orar të reduktuar, ndërsa do të shtyhen ose anulohen evenimente publike në hapësira të hapura. Këto masa do të jenë në fuqi derisa të ulet ndotja nën pragun alarmues, gjegjësisht nën 100 mikrogramë në një metër kub.
The post Ministria e Ekologjisë merr masa kundër ndotjes së ajrit në Maqedoni appeared first on Telegrafi.