Tirana ka marrë zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022. Kryebashkiaku i Klaipedas në Letoni i dorëzoi në mënyrë simbolike homologut të tij, Erion Veliaj, çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.
“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja.”
Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve si dhe të krijojë lidhje me qytetet e tjera europiane.
“Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021. Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër.”
Ndërkohë Veliaj shtoi se për vitin 2022 do të promovohen jo vetëm të rinjtë e Tiranës, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse si në Kosovë, Mal të Zi, Preshevë etj.