Zbulimi amerikan: Rusia po planifikon një sulm ndaj Ukrainës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Zbulimi amerikan: Rusia po planifikon një sulm ndaj Ukrainës

Presidenti Joe Biden deklaroi se do ta bëjë “tejet të vështirë” për Presidentin rus Vladimir Putinin të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainë, komente që vijnë pas gjetjeve të zyrtarëve amerikanë të zbulimit për një plan rus në zbatim, sipas të cilit Moska do të nisë një ofensive të mundshme ushtarake ndaj Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Sipas një zyrtari të administratës Biden, i cili foli në kushte anonimiteti, rusët po planifikojnë të vendosin rreth 175,000 trupa dhe pothuajse gjysma e tyre janë vendosur tashmë përgjatë pikave të ndryshme pranë kufirit me Ukrainën,

Kjo vjen pasi Rusia i ka parashkruar Presidentit Biden një kërkesë për të garantuar që Ukraina nuk do të lejohet t’i bashkohet NATO-s.

Zyrtari shtoi se planet parashikojnë lëvizjen e 100 grupeve taktike të batalioneve ruse së bashku me forca të blinduara, artileri e pajisje.

Advertisement

Zyrtarët e zbulimit kanë parë gjithashtu një rritje në përpjekjet e propagandës ruse, për të denigruar Ukrainën dhe NATO-n, përpara sulmit të mundshëm.

I pyetur në lidhje me gjetjet e inteligjencës të premten në mbrëmje, zoti Biden përsëriti shqetësimet e tij për provokimet ruse.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm për veprimet e Rusisë për një kohë të gjatë dhe presim që të kemi një diskutim të gjatë me Putinin”, tha Presidenti Biden.

Zyrtarë dhe ish-diplomatë amerikanë thonë se ndërsa Presidenti Putin qartë po hedh bazat për një sulm të mundshëm, ushtria e Ukrainës është e armatosur dhe e përgatitur më mirë krahasuar me vitet e kaluara dhe se sanksionet që Perëndimi po kërcënon të vendosë do t’i shkaktonin dëme serioze ekonomisë ruse. Mbetet e paqartë nëse zoti Putin synon të bëjë përpara me atë që do të ishte një ofensivë e rrezikshme, thanë ata.

Advertisement

Më herët të premten, zoti Biden u zotua ta bëjë “shumë më të vështirë” për Presidentin rus që të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Ukrainës dhe tha se nismat e reja që vijnë nga administrata e tij synojnë ta pengojnë agresionin rus.

Kremlini tha të premten se zoti Putin do të kërkonte garanci për moszgjerim të NATO-s me Ukrainën gjatë bisedimeve me Presidentin Biden. Por Presidenti Biden tha të premten “se ai nuk do të pranonte vijë të kuqe nga askush”./VOA

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy