Për dy qese plastike, qytetarët e Maqedonisë do të paguajnë aq sa kushton një bukë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

E marta e 30 nëntorit, 2021, është dita e fundit që Millena Ivkovska shërbehet me qese plastike falas në një shitore të Shkupit, ku ajo bën pazarin çdo ditë për më shumë se 20 vjet.

Në bazë të Ligjit të ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga ambalazhi, i cili u miratua më 4 tetor, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, nga data 1 dhjetor, për çdo qese plastike të biodegradueshme do të duhet të paguajnë 15 denarë (rreth 25 centë).

Këto qese mund të riciklohen dhe përpunohen.

Qeset e tilla, deri më tani, janë dhënë falas në disa dyqane ose të njëjtat janë paguar nga 1 deri në 10 denarë.

Advertisement

Millena thotë për Radion Evropa e Lirë se shtrenjtimi i qeseve të plastikës do ta detyrojë atë të mbajë me vete qese nga pëlhura, për të mos paguar 30 denarë për dy qese të plastikës. Me aq para sa kushtojnë ato, thotë se do të blejë një bukë.

“Le të jenë 15 denarë, mirë bëhet që shtrenjtohen qeset e plastikës, sepse e shihni sa shumë i kemi ndotur hapësirat kudo. Do të marr një qese nga pëlhura që nga dita e sotme, ashtu siç bënte edhe nëna ime kur dilte për të blerë në treg”, thotë Millena.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini, thotë se me ligjin e ri, në bazë të të cilit kufizohet përdorimi i qeseve të plastikës, do të mundësohet menaxhimi i mbeturinave në bazë të standardeve evropiane.

Ai thotë se paratë e mbledhura nga shitja e qeseve me çmim më të lartë, do të shkojnë në një fond të veçantë, i cili do të destinohet për mbrojtjen e mjedisit, si dhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave.

Advertisement

“Fondi që do të krijohet nga këto 15 denarë për çdo blerje të një qeseje plastike, do të shkojë në një fond të veçantë, që do të investohet në mjedis, por do të investohet edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve se si të menaxhojnë mbeturinat në vendin tonë. Ideja është që ai që ndot, të paguajë”, thotë Nuredini.

Nga iniciativa qytetare “Ndal qeset e plastikës”, e cila ka qenë e zëshme për sa i përket, sipas saj, përdorimit të pakontrolluar të plastikës, thonë se me ligjin e ri, fatkeqësisht, nuk ndalohet përdorimi i tërësishëm i qeseve të plastikës, ashtu siç është vepruar në shumë vende të Bashkimit Evropian.

“Nuk bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës dhe zëvendësimin e tyre me qese të letrës apo nga materiali i pëlhurës, por, fatkeqësisht, vetëm për rritjen e çmimit të tyre. Kështu nuk veprohet në vendet e Evropës, pjesë e së cilës synon të bëhet Maqedonia e Veriut”, thotë Zdravko Saveski nga iniciativa “Ndal qeset e plastikës”.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ai thotë se në Maqedoninë e Veriut hidhen rreth 14 tonë qese plastike brenda ditës.

Advertisement

“Brenda ditës shfrytëzohen 14 tonë qese plastike. Mund ta imagjinoni se sa është e lartë kjo shifër. Provoni këtë shifër ta vizualizoni dhe do ta kuptoni seriozitetin e problemit me përdorimin e qeseve të plastikës, pasi e dini se nëse hidhni një qese plastike në ndonjë mjedis natyror, do të duhet të prisni mijëra vite që ajo të degradohet plotësisht. Atëherë, mund ta imagjinoni dëmin e madh që po bën helmimi i tokës nga qeset e plastikës, grimcat e të cilave i konsumojmë përmes produkteve ushqimore”, thotë Saveski.

Nga 1 dhjetori, plastika për një përdorim do të ndalohet tërësisht në objektet e hotelerisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe në zonat e mbrojtura, siç është Mali Sharr, ai i Mavrovës, Pelisterit etj.

Shoqatat Bjeshkatare Ekologjike “Shkupi” e mirëpritën këtë vendim, duke thënë se edhe në vise më të larta, ku natyra duket se është e paprekur, për fat të keq, jo rrallë hasen mbetje të plastikës.

“Ne, duke u ngjitur në male si bjeshkatarë, për çdo javë hasim në mbetje të plastikës, megjithëse gjithmonë marrim me vete thasë specialë, ku i mbledhim këto mbetje, për t’i hedhur më pas në koshin e mbeturinave në hapësirën e parë të urbanizuar, kur zbresim nga malet. Kjo [ndalesa e përdorimit të qeseve të plastikës]vlerësoj se është një hap i mirë dhe shpresoj që qytetarët do të fillojnë të vetëdijesohen dhe sa më pak të përdorin plastikën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jashar Hirda, nga Shoqatat Bjeshkatare Ekologjike “Shkupi”.

Advertisement

Ndikimi kryesor i qeseve plastike në mjedis është se duhen shumë vite që ato të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset plastike shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike./REL/

The post Për dy qese plastike, qytetarët e Maqedonisë do të paguajnë aq sa kushton një bukë appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy