Shqipëria i është bashkuar vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke fajësuar presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko, për situatën e rëndë me refugjatët në kufirin me Poloninë.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Irlanda, Norvegjia, Estonia dhe Shqipëria shprehen se Minsku synon të destabilizojë vendet fqinje dhe kufirin e Bashkimit Evropian ndërsa kërkon të largojë vëmendjen nga shkeljet e në rritje të të drejtave të njeriut.
Vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e quajtën sjelljen e Bjellorusisë të papranueshme dhe kërkuan një përgjigje të fortë ndërkombëtare.
Nuk ka vonuar reagimi i Moskës, një aleate rajonale e qeverisë bjelloruse. Zëvendës ambasadori, Dmitry Polyanskiy deklaroi se kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian përballet me një krizë të tillë. Sipas diplomatit të lartë, duhen pasur parasysh arsyet pse këta njerëz po ikin nga vendet e tyre, kush ishte përgjegjës për këtë krizë dhe cilat shtete shkatërruan atdheun e tyre..
Kancelarja gjermane në detyrë, Angela Merkel i ka quajtur gjithashtu taktikat e migracionit nga Bjellorusia, çnjerëzore dhe të papranueshme.
Këtë të shtunë, pranë kufirit me Bjellorusinë është gjetur trupi i një të riu sirian. Mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme janë strehuar në kushte tejet të vështira në kufirin midis Bjellorusisë dhe shteteve të BE-së, Polonisë dhe Lituanisë, të cilat po refuzojnë t’i lënë ata të kalojnë.
Disa prej tyre kanë humbur jetën dhe është rritur shqetësimi për sigurinë e pjesës tjetër, në mesin e temperaturave që vijnë në ulje.