Deputeti i Lëvizjes “Besa”, Kastriot Rexhepi, i cili u largua nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pak para votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë së Zaev, është përjashtuar nga çdo funksion nga kjo parti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bilall Kasami njoftoi përjashtimin e Rexhepit, për të cilin tha se dëmtoi prestigjin e partisë.
“Duke marrë parasysh veprimet e fundit të deputetit të Lëvizjes BESA Kastriot Rexhepi i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, me çka i njëjti veproi në kundërshtim me vendimin e partisë me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë, Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartpërmendur e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA”, shkruan Kasami.
Kastriot Rexhepi ishte deputeti i 61 që do të bënte të mundur rrëzimin e Zaev, por seanca dështoi pas largimit të mistershëm të tij.
Kryetari i “Besës”, Bilall Kasami aludoi ditën e djeshme se Kastriot Rexhepi mund të ishte rrëmbyer, por më pasi ai bëri një reagim në rrjetet sociale duke mohuar çdo lajm të tillë.