Një gjykatë në Mianmar dënon me 11 vjet heqje lirie një gazetar amerikan

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Një gjykatë në Mianmar dënon me 11 vjet heqje lirie një gazetar amerikan

Një gjykatë në Mianmar dënoi gazetarin amerikan, Danny Fenster, me 11 vjet heqje lirie, nën akuzat për shkelje të ligjeve të imigracionit, lidhjeve me shoqata të paligjshme dhe thirrje kundër ushtrisë, tha të premten avokati i tij.

Than Zaw Aung, avokati i gazetarit Fenster, i tha Zërit të Amerikës se aktualisht nuk ka plane për të apeluar vendimin.

Danny Fenster përballet me akuza shtesë për kryengritje dhe terrorizëm, të cilat mund të çojnë në burgim të përjetshëm. Avokati i tij tha të mërkurën se ai nuk mund të shpjegonte pse u ngritën akuzat e reja, ose për çfarë po e akuzojnë zotin Fenster.

Danny Fenster, 37 vjeç, redaktor i gazetës në internet Frontier Myanmar, u arrestua në muajin maj në aeroportin Yangonit.

Advertisement

“Të gjithë në Frontier janë të zhgënjyer dhe të zemëruar me këtë vendim”, tha në një deklaratë të premten Frontier Myanmar me seli në Yangon.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i tha Zërit të Amerikës të mërkurën se Danny Fenster duhet të lirohet menjëherë.

“E dimë që regjimi ka ngritur akuza shtesë kundër Dannyt. Natyra thellësisht e padrejtë e burgosjes së tij është e qartë për të gjithë botën. Regjimi duhet të ndërmarrë hapin e matur për ta liruar tani. Vazhdimi i mbajtjes së tij është i papranueshëm. Gazetaria nuk është krim”, tha zoti Price.

Mianmari, i njohur më parë si Burma, në pjesën më të madhe të historisë së tij bashkëkohore është qeverisur nën sundimin ushtarak.

Advertisement

Ushtria pretendoi mashtrime të paargumentuara në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020. Më 1 shkurt, ajo rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe udhëheqësja Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint, u arrestuan dhe u akuzuan.

Protestat kundër grushtit të shtetit filluan menjëherë, me mijëra njerëz që dolën në rrugë duke refuzuar sundimin ushtarak. Por, ushtria shtypi me dhunë protestat dhe sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politik, të paktën 1,252 njerëz janë vrarë që nga grushti i shtetit.

Më shumë se 100 gazetarë dhe punonjës të medias janë arrestuar.

Gazetarët në Mianmar thonë se është pothuajse e pamundur që të mbulojnë lajmet pa iu nënshtruar rreziqeve të mëdha.

Advertisement

Gazetari i pavarur nga Mianmari, Cape Diamond, një emër që ai e përdor për të mbrojtur identitetin e tij, i tha Zërit të Amerikës se nuk është më tronditëse që gazetarë si Danny Fenster, po përballen me akuza të tilla.

“Gazetarët në Mianmar e kanë pranuar tashmë se nuk ka liri shtypi në vend. Gazetarët vendas janë tashmë të vetëdijshëm se akuza të tilla mund t’u bëhen në çdo kohë,” shtoi ai.

Aye Chan Naing, drejtor në Zërin Demokratik të Birmanisë, një transmetues i Mianmarit i ndaluar aktualisht nga junta, i tha Zërit të Amerikës në muajin korrik se të jesh gazetar në Mianmar, është një “biletë për t’u arrestuar”.

Gazetari veteran tha se ushtria ka një “listë dëshirash” për shënjestrat e saj.

Advertisement

“Ajo bazohet në vullnetin e tyre”, tha Aye Chan Naing. “Gjyqtarët thjesht po ndjekin urdhrat e ushtrisë – nuk është asgjë e mbështetur në sundimin e ligjit. (Akuzat ndaj Danny Fensterit) janë më shumë për të trembur njerëzit e tjerë dhe gazetarët vendas dhe për të treguar se edhe gazetarët e huaj mund të shkojnë në burg”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy