Qeveria mbetet. Në Kuvendin e Maqedonisë nuk kaloi nisma e opozitës për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
Seancën e mbylli kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi me arsyetimin se për shkak të mospasjes së kuorumit, nuk është hapur rendi i ditës dhe nuk mund të hapet debati për mosbesimin e qeverisë. Më herët, deputetët e opozitës dolën nga kuvendi, por deklaruan se nuk e heqin nismën dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme kuvendare.
“Për shkak se nuk është hapur rendi i ditës dhe nuk mund të hapet debat për mosbesim të qeverisë, konstatojmë se nuk është votuar mosbesimi ndaj qeverisë dhe në bazë të kësaj, kjo qeveri vazhdon me përbërjen e plotë dhe me detyrimet që i ka. Seanca për mosbesimin e qeverisë ka përfunduar”, konstatoi mbrëmë Talat Xhaferi.
Në seancë mbrëmë ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e Qeverisë të udhëhequr nga Zoran Zaev, ndërkaq zëvendëskryeministri Grubi në deklaratë për media tha se qytetarët duhet të jenë të qetë për shkak se sonte ka fituar Maqedonia euroatlantike.
“Fitoi Maqedonia me marrëdhëniet e mira fqinjësore. Maqedonia në marrëdhënie të mira miqësore me SHBA-të, me BE-në, Maqedonia në marrëdhënie të mira mes bashkësive dhe jam mirënjohës të gjithë partnerëve të koalicionit”, tha Grubi./Telegrafi/
The post Nuk kalon mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme appeared first on Telegrafi.