Promovohet në “Sarajet e Toptanëve” “Tokë e premtuar” e Barack Obama-s/ Veliaj: Ky është vetëm sipari i aktiviteteve në shtëpinë e të re të artit dhe kulturës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Promovohet në “Sarajet e Toptanëve” “Tokë e premtuar” e Barack Obama-s/ Veliaj: Ky është vetëm sipari i aktiviteteve në shtëpinë e të re të artit dhe kulturës

“Tokë e premtuar”, vëllimi i parë i biografisë presidenciale të Barack Obama-s, i përkthyer dhe sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”, ka mbledhur mbrëmjen e sotme në “Sarajet e Toptanëve”, ish-rezidenca e parë amerikane në Shqipëri, personalitete të artit, kulturës, gazetarisë dhe politikës. Në ceremoninë e promovimit të librit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara, organizuar në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky është vetëm sipari i aktiviteteve të këtij niveli në godinën që sapo mori pronësinë e plotë publike.

“Më vjen mirë që kjo ndërtesë, e cila sot ka aktivitetin e parë publik si pronë publike, do të jetë një mundësi e hapur për të parë se si ne mund të ruajmë ato gjurmë të qytetit që janë realisht të vlerësuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës si ndërtesa me vlera. Ndoshta 2500 shtëpi të mbrojtura ne nuk mund t’i shpronësojmë, pasi nuk ka kurrë një buxhet të tillë, por unë besoj që në interesin publik ky është një çmim që ia vlen. Shpronësimi tjetër do të jetë ish-Instituti i Histori-Gjeografisë, apo siç njihet ndryshe, “Shtëpia e Libohovidëve” që është ngjitur me pjesën e Kalasë, tashmë e restauruar nga Bashkia e Tiranës dhe më vjen mirë që më në fund do të kemi disa elementë në zemër të qytetit që do të ruhen nga shteti, jo vetëm me një pllakatë, por edhe me fonde, menaxhim dhe mirëmbajtje publike,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se ky hap vendos një standard të ri në vlerësimin e vlerave dhe monumenteve të kulturës së një qyteti.

“Na vjen mirë që me vendimin e sotëm kemi vendosur një standard të ri. Ndaj mezi pres që kjo shtëpi, që do të jetë Muzeu i ri Etnografik i kryeqytetit, por që sigurisht do të reflektojë dhe atë pjesë të historisë që ka të bëjë me diplomacinë dhe me Legatën e Parë Amerikane në Tiranë, të jetë shtëpia jonë e përbashkët, shtëpia e të gjithëve. Ndaj dhe për çdo aktivitet do të jetë edhe si një shtëpi pritjeje mu në zemër të Tiranës, një Tirane që zhurmon jashtë kangjellave, po të një Tirane që gjithashtu ka dhe disa oaze të vegjël qetësie, siç është sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja, apo edhe kjo shtëpi e Sarajeve,” deklaroi Veliaj.

Advertisement

Në vëllimin e parë të memuarit të tij presidencial, Barak Obama rrëfen historinë e odisesë së tij të pamendueshme, nga koha kur ishte djalosh që kërkonte të gjente veten, deri kur u bë udhëheqësi i botës së lirë, duke përshkruar me detaje tejet personale si edukimin e tij politik, ashtu edhe momente të shënuara të mandatit të tij të parë të presidencës së tij historike, një kohë ndryshimesh dhe turbullirash dramatike.

Obama i tërheq lexuesit në një udhëtim marramendës që nga aspiratat e tij më të hershme politike, tek pika e rëndësishme e kthesës, fitorja e vyer në asambletë zgjedhore në Ajova që tregoi fuqinë e aktivizmit kokë më kokë me njerëzit, tek nata vendimtare e 4 nëntorit 2008, kur u zgjodh Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara, duke u bërë kështu i pari afro-amerikan që merrte postin më të lartë të vendit. Duke reflektuar për presidencën e tij, ai ofron një shqyrtim të veçantë dhe të thellë si të fuqisë mahnitëse të Presidentit, ashtu edhe të kufizimeve të saj, si dhe vëzhgime autentike të dinamikave të politikës partiake të Shteteve të Bashkuara dhe diplomacisë botërore.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy