Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka reaguar sërish së fundmi lidhur me situatën e pandemise ku thekson se nëse vendet e varfëra nuk do të marrin vaksinën që ju duhet, pandemia e Covid 19 do të vijojë dhe gjatë vitit 2022.
Udhëheqësi i lartë në OBSH, doktor Bruce Aylward, ka thënë se kriza e Covid mund të zvarritet lehtësisht thellë në 2022, nëse nuk do të kemi një vaksinim të të gjithë popullatës globale.
Mediat e huaja bëjnë me dije se më pak se 5% e popullsisë së Afrikës janë vaksinuar, krahasuar me 40% në shumicën e kontinenteve të tjera. Ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka dorëzuar më shumë se 10 milionë vaksina në vendet në nevojë, por në të vërtetë ajo ka premtuar se do të dorëzojë një total prej 100 milion dozash.
“Mund t’ju them se nuk jemi në rrugën e duhur. Ne me të vërtetë duhet ta përshpejtojmë ose e dini çfarë? Kjo pandemi do të vazhdojë për një vit më shumë sesa duhet”, ka thënë ai.
Shumica dërrmuese e vaksinave kundër Covid janë dhënë në vendet me të ardhura të larta ose me të ardhura mesatare të larta, ndërsa Afrika ka marrë vetëm 2.6% të dozave të administruara globalisht.