Ditën e sotme është nënshkruar memorandumi tre palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut sa i takon Korridorit 8.
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku theksoi se ky memorandum është një lajm i mirë për të gjithë vendet e rajonit dhe jo vetëm për ne të tre që jemi pjesëmarrës.
Sipas saj e rëndësishme është bashkëpunimi trepalësh si një mënyrë për të ndikuar në investimet financiare evropiane në mbështetje të këtyre projekteve.
“Nënshkrimi i memorandumit në Sofje për për transportin e qëndrueshëm në korridorin e 8 është një hap i rëndësishëm bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Prej kohësh ne kemi punuar për të plotësuar të gjithë komponentët e këtij korridori si një nga korridoret më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë me të gjithë projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave dhe në atë të rrugëve por pa dyshim dhe porti i ri i Durrësit, projekti që përfshin këto tre vende do të ndihmojë në hapat e së ardhmes. Sa i përket këtij takimi kemi diskutuar për të ardhmen dhe kemi rënë dakord se një agjendë e përbashkët për promovimin e korridorit të tetë si një agjendë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik jo vetëm për vende tona por dhe vendeve tjera është një domosdoshmëri. Kemi dakordësuar sesi sëbashku mund të ndikojmë në institucionet financiare për mbështetjen e projekteve sidomos atë të hekurudhave si një mënyrat e transportit më eficente. Ne do të kemi një tjetër takim në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Tiranë për të vijuar më tej me hapat e këtij projekti”, u shpreh Balluku.