Eurostat: 700 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi nga 2008-a, rekord në rajon

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Eurostat: 700 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi nga 2008-a, rekord në rajon

Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Shifrat janë bërë të ditura nga Eurostat, instituti europian i statistikave dhe janë përpunuar nga “Monitor”.

Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian. Për të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi.

Advertisement

Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian. Vendi i dyte pas nesh është Kosova (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Edhe institucionet ndërkombëtare e llogarisin numrin e emigrantëve nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Europian.

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, në një raport të mëparshëm, gjeti se Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020.

Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Advertisement

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Italia dhe Greqia kryesojnë

Italia dhe Greqia, dy destinacionet që kanë pritur numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë pas viteve 90, kanë dhënë 84% të lejeve të qëndrimit për herë të parë për periudhën 2008-2020. Rekordin e mban Italia, me 342.5 mijë leje gjithsej, ose 49% të totalit. Greqia ka dhënë 247.6 mijë të tilla (35%).

Që nga viti 2013, Gjermania ka rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna, pasi ky shtet është bërë i preferuar për punonjësit shqiptarë sidomos mjekë e infermierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Ekonomia më e madhe e Europës ka dhënë gjithsej 48 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2020.

Advertisement

Në vend të katërt është Franca, me 15 mijë leje (2% e totalit) e ndjekur nga Kroacia, e cila nga 2018-a ka dhënë mesatarisht një deri në 2 mijë leje qëndrimi në vit.

Viti 2020

Në vitin 2020 morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian 37,592 shtetas shqiptarë, sipas Eurostat.

52% e tyre e morën për arsye familjare, 16% për punë, 3% për edukim dhe më pas renditen arsye të tjera, pa u specifikuar.

Advertisement

Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë ka rënë me 38%, i ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia.

Në rajon, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna për vitin 2020 e mban Serbia, me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë) e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë)./Monitor

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy