Afro 11 mijë studentë të universitetit të Tiranës nuk do të ndjekin mësimin ditën e hënë, pasi janë të pavaksinuar. Rektori Artan Hoxha tha se mbi 50 % e te rinjve kanë marrë të paktën dozën e parë. Ata duhet të paraqesin certifikatën e vaksinës për të hyrë në auditor. Në mungesë të saj, testi PCR negativ apo dokumenti që vërteton kalimin e sëmundjes, janë të vetmet mënyra që fakulteti të hapë dyert për studentët.
“Ata që paraqesin certifikatën e vaksinës, si dhe ata që paraqesin testin PCR apo vërtetimi i kalimit të sëmundjes, secili nga këto dokumente është i vlefshëm për Universitetin e Tiranës.”
Edhe pse ishte premtuar se mësimi online do te ishte një alternative për ata që refuzojnë vaksinën, autoritetet kanë ndryshuar mendje. Këtë radhë leksionet në distancë janë rrëzuar, duke i lënë të rinjtë përballë dy rrugëve: ose të bëjnë vaksinën, ose të humbin shkollën.
“Prej dy vitesh studentet nuk kanë kontakte me fakultetin. Kemi një apo dy breza të programeve një apo dy vjeçare që s’e kanë njohur fakultetin. Pavarësisht se ecuria e mësimit online ishte e mirë, urdhri i ministrisë së arsimit, cakton heqjen e mësimit në distancë. Do shikojmë ecurinë dhe do marrim vendime.”
Procesi për nivelin e parë të studimeve nis të hënën më 18 tetor, ndërsa studentët e masterit do të nisin mësimin më 10 nëntor, për të cilët vlejnë po të njëjtat rregulla.