
Teksa zyrtarisht jemi në emergjencë energjetike, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë publik furnizimin me ujë për muajin shtator në tre hidrocentralet e mëdha të vendit.
HEC-i i Fierzës është ai me nivelin më të ulët sesa mesatarja e 15 viteve, krahasuar me Komanin dhe Vaun e Dejës.
Gjatë muajit që lamë pas, nivelit i Liqenit të Fierzës ishte 274.27 metër, ndërsa mesatarja 15-vjeçare është 279.89 metër. Pra, gati 5 metër më pak se mesatarja.
Edhe për këtë tetor niveli i Fierzës vijon të qëndrojë nën nivelin mesatar, me gati 3 metër.
Nën mesataren e viteve të fundit për shtatorin qëndron edhe Hidrocentrali i Vaut të Dejës. Por ndryshe nga Fierza, diferenca është me gati 2 metër. Konkretisht, niveli i regjistruar është 73.73 metra.
Në anën tjetër, HEC-i i Komanit është i vetmi që e ka tejkaluar nivelin mesatar gjatë muajit të shkuar. Në Koman uji arriti në 173.61 ose rreth 2 metra më shumë se mesatarja 15-vjeçare. .
Reshjet e ditëve të fundit, por edhe hyrja në stinën e dimrit pritet të rrisë nivelin e ujit në hidrocentrale dhe të plotësojnë një pjesë më të madhe të nevojës që ka Shqipëria për energji elektrike.
Nga ekspertët e KESH-it, furnizimi me ujë në HEC-e për shtatorin e 2021 konsiderohet normal dhe është thuajse në të njëjtat nivele të viteve të mëparshme.