Bekim Sali: Të rinjve u premtoj punë, përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bekim Sali: Të rinjve u premtoj punë, përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim

Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe për këtë si Telegrafi Maqedoni kemi vendosur të bisedojmë me Bekim Sali, kandidatin e Alternativës dhe Aleancës për shqiptarët për Komunën e Çairit, për të cilin kemi folur rreth prejardhjes së tij dhe planet e tij, nëse zgjidhet kryetar komune.

Kush është Bekim Sali?
Të flasësh në veten e parë dhe për vete është vështirë ta ruash modestinë, sepse dëshira për ta prezantuar veten në dritën më të mirë sigurisht të rrëmben përpara objektivitetit.
Sidoqoftë, pasi ma keni vënë këtë detyrë, po e përshkruaj veten me disa fjalë. Me origjinë familjare jam nga Matka e Shkupit, por me status urban jam shkupjan. Jam nip Tërnoci. Vëlla i dy motrave më të mëdha se unë, bashkëshort dhe prind i tri vajzave. Me profesion jam dentist, pronar i një ordinance, si dhe i një biznesi të tekstilit.
Nëse do të flas edhe më për veten, kam drojë se mos bëhet shumë. Për informacione shtesë mund t’i pyesni fqinjët, kolegët dhe shokët e mi. (qesh)

© Arbnora Memeti

Sfida më e madhe personale e Bekimit dhe si e ka zgjidhur atë?
Mbase më mirë do ishte që sfida të jetë në shumës, sepse e kam vështirë ta përcaktoj cila ka qenë më e madhe, por nëse duhet ta zgjedh vetëm një, do të thosha se sfida më e madhe për mua ka qenë “Mjekësia apo biznesi?”. Dhe, unë kam bërë një përzgjedhje si në barsoletën e atij që jep sinjal në të majtë, ndërsa kthen djathtas. Duke e përmbushur edhe dëshirën e babës tim, unë u bëra stomatolog, por e ngrita pastaj edhe një ordinancë në të cilën janë të punësuar disa mjekë e infermiere. Kështu ia mbajta vetes premtimin për biznes privat, por e plotësova edhe premtimin ndaj babës se do të jem dentist. Kështu u bë 2 në 1.
Natyrisht, sfida e ardhme për mua do të jetë drejtimi i Komunës së Çairit, për çka ka kohë që jam përgatitur dhe ma merr mendja se në ndonjë intervistë të ardhshme do t’ju flas më saktë për përballjen me këtë sfidë.

Advertisement

© Arbnora Memeti

Cili është premtimi që do t’ja bënte fëmijës/fëmijëve të tij Bekimi për të rregulluar në Çair?
Secili fëmijë do të ketë qasje në çerdhe në lagjen e tij dhe secili fëmijë që ka dëshirë, do të ketë mundësi për mësim tërëditor në shkollën e lagjes së tij. Këto janë dy gjëra që u mungojnë fëmijëve në Çair dhe kjo do të jetë një temë që në fund të mandatit tim do të jetë e absolvuar.
Duke i kultivuar hapësirat aktuale të gjelbra dhe duke krijuar hapësira të reja të gjelbra, do ta shtojmë edhe mundësinë që fëmijët të kenë rekuizita e lodra për fëmijë, në të cilat ata edhe do të kënaqen duke lozur, por edhe do të kenë mundësi ta zhvillojnë kreativitetin dhe imagjinatën e tyre.
Megjithatë, sado që të bëni për fëmijët, asnjëherë nuk mund të jeni të kënaqur. Ngase, ata meritojnë gjithnjë më shumë. Ata janë burimi i lumturisë në këtë botë dhe detyrimi ndaj tyre nuk është politik e parazgjedhor, por njerëzor e prindëror.

Advertisement

© Arbnora Memeti

Çka ju premton Bekimi të rinjve?
Të rinjve u premtoj punë, përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim. E di se do të thoni se “këto janë terma të përgjithshëm”, por çfarë do të thosha tjetër kur gati gjithë programi im është hartuar duke e pasur parasysh njeriun e ri në Çair. Që nga kujdesi për shkollat, kujdesi për sportin, për rekreacionin dhe kujdesi për mbështetjen e aktiviteteve rinore, detyrimi ynë për të rinjtë është përtej një fushate parazgjedhore. Nëse doni t’ua them një premtim konkret, ky është rikthimi i palestrës sportive “Partizan”, natyrisht me një emër jokomunist, dhe krijimi i mundësisë që ajo të jetë në shërbim të të rinjve të Çairit. Ndërsa po kaq me interes mund të jetë edhe Qendra e Kulturës, Inovacionit e Ndërmarrësisë, që do të themelohet dhe ndërtohet, ndërsa do të jetë një “fabrikë” për të rinj të suksesshëm të komunës sonë.
Dhe, mbase më e rëndësishme se kaq mund të jetë që të rinjtë do të jenë të lirë nga presioni politik. Identiteti i tyre duhet të jetë mosha dhe kualifikimi profesional. Kaq.

© Arbnora Memeti

Advertisement

Cili do të jetë premtimi i parë që do ta përmbush Bekimi pasi ta merr postin?
Do ta heq Murin e Betonit, që na ka turpëruar të gjithëve, dhe – menjëherë pas kësaj – do t’ia nisim me përgatitjet për shpalljen konkursit ndërkombëtar për master plan për Çairin e Ri. Kemi shumë punë. Prandaj është e rëndësishme të mos humbim kohë me dy raunde zgjedhore. Ta përfundojmë garën në rrethin e parë, që dy javët e tjera të na gjejnë duke punuar.

The post Bekim Sali: Të rinjve u premtoj punë, përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy