Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ka deklaruar se Serbia vazhdon ta mbajë kokën lartë pavarësisht se ka dështuar me përpjekjet e saj që me luftë të mbajë rajonin nën kontroll.
Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ish-presidenti i Kroacisë thekson se Beogradi duhet ta kuptojë se nuk mundet më ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, e as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje.
“Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme. Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën. Ajo e akuzon Millosheviçin, jo sepse ai ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre. Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj”, ka thënë Mesiç në intervistë.
Ish-kreu i shtetit kroat vuri në dukje se Serbia pati mundësinë të ndiqte një politike ndryshe ndaj Kosovës, por tanimë është e pamundur të ndryshohet diçka në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviçit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës”, ka deklaruar ish-presidenti kroat.
Sipas tij, nëse Serbia nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të lejojë që të ketë kufij normalë e pa probleme. “Atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira”, ka theksuar ai.
Çështja e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë është shtuar ditëve të fundit. Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Serbët kanë bllokuar prej tre ditësh pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak në Veri, ndërsa Policia e Kosovës me njësi të shtuara po rrit prezencën në zonë.